Telegrafi

Osimhen zbulon arsyen e vërtetë pse ai do të luajë me maskë gjatë gjithë karrierës së tij

Victor Osimhen ka zbuluar arsyen pse ai do të vazhdojë të mbajë maskën për aq kohë sa është futbollist aktiv.

Disa lojtarë të ndryshëm kanë mbajtur maska gjatë karrierës së tyre në përpjekje për t’u rikuperuar nga lëndimet, ndërsa Kylian Mbappe është shembulli më i fundit pasi mbajti maskë në Euro 2024 me Francën.

Pasi pësoi një lëndim në gropën e syrit në një ndeshje të Serie A në nëntor të vitit 2021, Osimhen ka mbajtur një maskë në çdo ndeshje të futbollit në të cilën ka marrë pjesë.

Dhe në krahasim me lojtarët e tjerë, sulmuesi i Napolit do të mbajë maskën për pjesën e mbetur të karrierës së tij dhe tashmë nigeriani ka treguar arsyen pse.

“Unë në fakt kam shumë vida që kalojnë nëpërmjet nofullës sime brenda gojës. Ndeshja e fundit në të cilën luajta, ndaj Cagliarit, kur e godita topin me kokë, unë kisha gjak në fytyrën time dhe portieri gjithashtu më goditi në fytyrë, kështu që pati gjak edhe me maskë. Për këtë arsye është shumë e rrezikshme për mua që të luajë pa përdorur maskën, natyrisht”, ka thënë Osimhen.

25-vjeçari ishte një nga emrat më të përfolur në afatin kalimtar veror këtë vit, pasi kishte tërhequr interesim nga disa klube të ndryshme duke përfshirë Al Ahli dhe Chelsean.

Raportimet nga dita e fundit e afatit kalimtar kishin sugjeruar se Napoli ka pranuar një ofertë nga Al Ahli e cila besohet se ishte në regjionin e 67 milionë eurove.

Sidoqoftë, sulmuesi nigerian tashmë edhe zyrtarisht është bërë pjesë e gjigantit turk Galatasaray në formë huazimi, por ekziston mundësia që në janar të largohet në drejtim të ndonjë klubi tjetër./Telegrafi/