Telegrafi

Osimhen në bisedime për transferimin befasues pasi u përjashtua nga ekipi i Napolit

Ylli i Napolit, Victor Osimhen është futur në bisedime për një transferim befasues pas mbylljes së afatit kalimtar në Itali, është raportuar së fundmi.

Kishte interesim nga Superliga e Arabisë dhe Chelsea për 24-vjeçarin në ditën e fundit të afatit kalimtar, por ai nuk ia doli të siguronte largimin nga Italia.

Al Ahli ishte pajtuar me Napolin dhe lojtarin për të finalizuar marrëveshjen, por në fund ata vendosën që të nënshkruajnë me Ivan Toney për të përmbushur numrin e lojtarëve të huaj në ekip.

Të shtunën, Fabrizio Romano kishte zbuluar se Napoli e ka përjashtuar atë nga ekipi dhe se Osimhen nuk do të regjistrohet si pjesë e ekipit të Antonio Contes për Serie A.

Sipas gazetarit italian Gianluca Di Marzio, Osimhen është futur në negociata me gjigantin turk Galatasaray, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme për transferimin tek kampioni në fuqi i Turqisë.

Është raportuar se drejtuesit e Galatasaray janë duke punuar për një marrëveshje huazimi për Osimhen, të cilin synojnë ta bashkojnë me Mauro Icardin në një formacion me dy sulmues.

Bisedimet për transferimin e Osimhen janë përshpejtuar për shkak të një lëndimi që ka pësuar Icardi. Galatasaray ka kohë deri më 13 shtator (afati për transferime në Turqi) për ta kompletuar marrëveshjen.

Afati kalimtar veror në Itali në ndërkohë ka marrë fund më 30 gusht, që do të thotë se Napoli nuk ka asnjë mundësi ta zëvendësojë Osimhen me një lojtar të ri./Telegrafi/