Site icon Telegrafi

Organizohet edicioni i shtatë i minimaratonës “Vrapojmë me Policinë” në Ferizaj

Policia e Kosovës në Rajonin e Ferizajt në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe me disa organizata joqeveritare, kanë organizuar edicionin e shtatë të minimaratonës tradicionale “Vrapojmë me Policinë”. Të gjitha paratë e grumbulluara nga garuesit të cilët kanë blerë bluza në vlerë prej pesë eurosh për të hyrë në garë, ato do t’i dhurohen familjeve skamnore në komunën e Ferizajt.

Në këtë garë morën pjesë zyrtar të Policisë së Kosovës, të FSK-së, qytetar e të rinj të viseve të ndryshme, raporton Telegrafi.com.

Kanun Veseli zëdhënës i Policisë së Kosovës për regjionin e Ferizajt, ka thënë se është planifikuar shtegun e vrapimit me gjatësi prej pesë kilometra prej palestrës së sporteve e deri te rrethrrotullimi që dërgon te parku i “Lirisë”.

“Të gjitha paratë e grumbulluara nga shitja e bluzave me mbishkrimin “Vrapojmë me Policinë tonë”, do t’i dhurohen familjeve skamnore në Ferizaj”, ka thënë Veseli.

Imer Kurtishi është njëri prej garuesve i cili fitoi çmimin e parë për të moshuarit mbi 40 vjeçar. Ai shpjegoi se gjithmonë ka marrë pjesë në gara të tilla në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

“Për herë të parë e mora çmimin mbi moshën 40 vjeçare çmim ky që e mora sot, ndërkaq në raste tjera më shumë kam marrë pjesë vetëm si vrapues i thjeshtë”, ka thënë Kurtishi.

Aferdita Haxholli , garuese në këtë garë me aftësi të kufizuara ka thënë se është e kënaqur që ka marrë pjesë me arsyetime se edhe kjo kategori mund të tregojnë rezultate pozitive.

“Kam dëshirë të marrë pjesë në çdo garë sepse ia dalim edhe ne, pavarësisht se jemi persona me aftësi të kufizuara. Edhe pse jam pa dy duart, unë i kryej të gjitha punët me këmbë, andaj kam hyrë në argumente dhe në “librin e genisit”, prandaj jam shumë e lumtur që po kemi mundësi t’i japim një mesazh personave me pengesa në zhvillim që vetëm të vazhdojnë. Edhe ne kemi të drejtë edhe ne kemi gjithçka për të ecur përpara”, ka thënë Haxholli./Telegrafi/

Exit mobile version