Me një organizim madhështor në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, UBT shënoi ceremoninë e gradimit të studentëve të gjeneratës së nëntëmbëdhjetë, duke i dhuruar Kosovës profesionistë dhe ekspertë që do të kontribuojnë në fusha të ndryshme të jetës.
Të lumtur dhe të entuziazmuar për arritjen e tyre profesionale, studentët përmbyllën suksesshëm një cikël të rëndësishëm jetësor në drejtimet në nivelin bachelor dhe master të programeve: Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Dizajn i Integruar, Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Menaxhim i Mekatronikës, Inxhinieri Ndërtimore dhe Infrastrukturë, Inxhinieri e Energjisë dhe Menaxhment, Sistemet e Informacionit, Art dhe Media Digjitale, Muzikë Moderne, Prodhimi Digjital dhe Menaxhimi.
I gëzuar dhe krenar për gjithë këtë arritje të tyre, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka përgëzuar secilin student për angazhimin dhe përkushtimin për të kryer një cikël të rëndësishëm të jetës së tyre, siç janë studimet akademike.
“Është një moment shumë i rëndësishëm të japim mesazhe që këtu nuk është fundi i dijes, sepse njeriu gjatë gjithë kohës duhet të mësojë. Është shumë e rëndësishme që ta ndjeni pjesën e përgjegjësisë, meqenëse tani më nuk jeni vetëm studentë që merrni përgjegjësi, por jeni edhe ju dhënës të përgjegjësive të reja dhe duhet të jepni më shumë nga vetja që Kosova të jetë më mirë. Ju keni një mundësi të jashtëzakonshme që të zgjidhni probleme të shumta që ndodhin në vend dhe në botë. Me këtë numër të madh të të rinjve, e ardhmja e Kosovës do të jetë e ndritshme” u shpreh rektori Hajrizi.
Në cilësinë e Alumnit, ish-studenti i UBT-së, Ardian Isufi si një ndërmarrës i suksesshëm në Zvicër, iu drejtua me një mesazh studentëve të sapo diplomuar, duke kërkuar nga ta që asnjëherë të mos ndalin kontributin e tyre për zhvillimin e vendit.
“Ju jeni para një udhëkryqi të madh, por cilëndo rrugë që e zgjedhni do të keni sukses mu për shkak që keni studiuar në UBT. Unë jam njëri prej UBT-së që kam studiuar në një universitet ndërkombëtar. Nëse kërkoni punë, kudo që aplikoni në Kosovë do të jeni të veçantë, meqenëse jeni nga UBT. Guxoni të mësoni, e të punoni që t’i realizoni ëndrrat tuaja”, tha Isufi.
Nën emocione, studenti i cili sot ishte një nga studentët e gjeneratës së nëntëmbëdhjetë të cilët kurorëzuan me sukses studimet akademike, Lend Sylejmani u shpreh i entuziazmuar për rrugëtimin e tij, duke i falënderuar profesorët për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në drejtim të nxjerrjes së kuadrove të reja profesionale.
“Fillimi i studimeve ka qenë i mbushur me plot emocione, por mbi të gjitha ka dominuar entuziazmi për të filluar një kapitull të ri. Diçka që vlen të theksohet është fakti se gjatë studimeve pasioni im ndaj profesionit të arkitekturës ka vazhduar duke u rritur, e kjo për shkak të motivimit të vazhdueshëm që më kanë dhënë profesorët në UBT”, potencoi Sylejmani.
Ceremonia e gradimit nuk kishte se si të mos konkretizohej ndryshe pa betimin e studentit, të cilin e udhëhoqi studentja e dalluar e Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Elita Hajrizi, duke bërë kështu që njëzëri studentët të betohen për t’i shërbyer shkencës, edukimit, e vendit, si dhe me vetëdije dhe vullnet të plotë të bëhen pjesë kontribut dhënëse në ndërtimin e shtetit dhe prosperimin e shoqërisë sonë.
Ceremonia u përcoll me disa pika të zgjedhura muzikore nga studentët e Fakultetit Muzikë Moderne, Prodhimi Digjital dhe Menaxhimi, Meriton Heta dhe Auron Deva, teksa kulmoi me momentin shumë madhështor dhe më të rëndësishëm për secilin student, por edhe për UBT-në si institucion i arsimit të lartë, për hedhjen e kapelave, si simbol i përfundimit të një periudhe plot përkushtim dhe sakrificë dedikuar dijes dhe avancimit akademik.
Për shkak numrit të madh të studentëve që kanë përmbushur kriteret për të qenë pjesë e këtij eventi madhështor, ceremonia e gradimit do të vazhdojë në sesionin e dytë, të shtunën e 10 shtatorit, për të përmbyllur kështu një nga organizimet më madhështore dhe më emocionuese të institucionit më të madh të arsimit të lartë në Kosovë, të UBT-së.