Mos funksionalizimi i ambulancës mjekësore dedikuar për pensionistët në vitet e pas pandemisë është veçuar si shqetësim nga komuniteti i të moshuarve në Prizren gjatë një takimi të zhvilluar me aktivistët e shoqërisë civile.
Organizata jo-qeveritare EC Ma Ndryshe ka njoftuar se në kuadër të takimeve me komunitetin ka vizituar drejtuesit e Organizatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Prizren, me ç’rast kjo çështje është shpalosur si shqetësim, raporton Telegrafi.
“Në kuadër të diskutimeve, komuniteti i të moshuarve ka shfaqur brengën për mos funksionalizimin e ambulancës së pensionistëve, e cila ka qenë aktive para periudhës së pandemisë, ku shërbimet mjekësore dhe barnat për këtë kategori janë ofruar falas”, thuhet në njoftim.
Një tjetër shqetësim i pensionistëve, sipas njoftimit, është edhe mos ndarja e subvencioneve nga organet komunale për aktivitetet e organizatës së pensionistëve, sikurse edhe për realizimin e takimit vjetor të tyre.
“Krahas kësaj, të moshuarit, kanë shprehur kërkesën që gjatë realizimit të punimeve në infrastrukturë të merren parasysh edhe nevojat e tyre për lëvizje të lirë dhe qasje në hapësirat publike”, theksohet në njoftim, raporton Telegrafi.
EC Ma Ndryshe ka bërë të ditur se edhe në këtë rast do të vazhdojë praktikën e dërgimit të kërkesave që burojnë nga komuniteti te organet përkatëse vendimmarrëse, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve adekuate. /Telegrafi/