Site icon Telegrafi

ORCA: Senati i UP-së ka shpallur plagjiatorë profesorët Bujar Dugolli e Ardian Kastrati

Organizata për rritjen e cilësisë në arsim (ORCA), përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se Senati i UP-së ka shpallur plagjiatorë profesorët Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.

“Edhe një hap në luftën kundër plagjiaturës. Në mbledhjen e djeshme të Senatit të UP-së, në pikën e dytë të rendit të ditës, u konfirmua gjetja e Këshillit të Etikës së UP-së, e cila i shpallë plagjiatorë prof. Dr. Bujar Dugollin dhe prof. Ass. Ardian Kastratin. Tashmë gjetja e ORCA-s që këta të dy janë plagjiatorë, e cila për herë të parë u bë publike në vitin 2021, e mban edhe vulën e Senatit të Universitetit të Prishtinës edhe atë të Këshillit të Etikës së Universitetit të Prishtinës”, thuhet në njoftim.

ORCA shton se ajo që mbetet shqetësuese është ndëshkimi qesharak për dy plagjiatorët.

“Kosova mund të jetë vendi i vetëm në botë, në të cilin kur institucionet shpallin dikë plagjiator, ai vazhdon punën me ndëshkim qesharak si mosmentorim i temave të masterit dhe doktoratave për një kohë të caktuar”, thuhet në njoftim.

ORCA ka theksuar se do të angazhohet që kjo të mos mbetet kështu, duke kërkuar reagimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci e cila sipas kësaj organizate ka premtuar publikisht se nuk do të ketë tolerancë për plagjiaturën, që të luajë rolin e saj si garantuese e zbatimit të ligjeve në fuqi që lidhen me arsimin, në atë mënyrë që plagjiatura të ndëshkohet në mënyrë meritore. /Telegrafi/

Exit mobile version