Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka rekomanduar heqjen e masave ndaj Kosovës, ndërsa diskutimet me anëtarët e Këshillit janë ende në proces.
Orav vuri në dukje se Bashkimi Evropian ka marrë një drejtim të ri për zgjerim, por theksoi se Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhin disa çështje të brendshme përpara se të bëjnë hapa të mëtejshëm.
“Aderimi në BE është një çështje shumë e rëndësishme. Për BE-në është detyrim t’i përgjigjet historisë. Sot, bota po përballet me një rikthim të luftës për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Ky hov i ri për zgjerim vjen në momentin e duhur – së fundmi kemi nisur negociatat me Shqipërinë pas shumë vitesh pune”.
“Pasi të adoptoni reformat në përputhje me agjendat e BE-së, do t’ju mbështesim financiarisht. Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë ende shumë punë për të bërë, duke përfshirë zgjidhjen e çështjeve ndërmjet njëra-tjetrës. BE po dëshmon angazhimin e saj përmes asistencës financiare,” deklaroi Orav.
Lidhur me incidentin në Banjskë dhe reagimin e Policisë, Orav vlerësoi profesionalizmin e forcave të rendit në Kosovë.
Ai theksoi se Kosova ka shënuar përparim të dukshëm në zhvillimin e një ekonomie funksionale, ndërsa Kuvendi i saj është përballur me sfida në miratimin e ligjeve të nevojshme për vendin./Telegrafi/