Poezi nga: Faruk Tasholli
(Në kujtim të miqve të mi, poetëve boemë – Mirko Gashit, Tahir Deskut dhe Nehat S. Hoxhës)
Në rrugën poshtë Katedrales së Prishtinës
Artistët e lodhur i ka zënë gjumi
Me ballin e mbështetur në cepa tavolinash
Vëzhguesit policorë kot e bjerrën ditën
Duke dëgjuar tingëllimën e fjalëve të largëta
Për Pjetër Bogdanin a për zogjtë e Stimfalisë
Kafenetë janë varrosur e kujtimet krejt zbehur
E letrat e zhubravitura në qiellin plot ëndrra
Fluturojnë si zogj të trazuar
Me shpirtin e derdhur fjalëve pa rend
Hajde ta çojmë nga një për fundin e gëzuar
Të tjerët ikën me disiplinë pedante
Teksa lanë anash patrulluat e lodhura
Që presin gatitu të vjellin zjarr prej tytash
U bë vonë e ndër qepalla gravohet
Ora me akrepa të thyer
Është kohë pushtimi apo fillimi i rënies
Së atyre që erdhën me helmeta të rënda
Për ta shkelur qelqin e këngës së boemëve
Jashtë po bie borë e rrugët janë zbrazët
Ngricat e harresës tashmë e mbuluan një stinë
Gëzuar se fundi do të jetë i gëzuar
Edhe nëse bulojmë si lulet e dhembjes
Në rrugën poshtë katedrales së Prishtinës
Brenda kopertinave të kujtesës është mbyllur një jetë
Plot zjarmi plot duf plot etje plot angështi
Gëzuar se fundi do të jetë i gëzuar
Së paku jetën ta bëjmë poezi