Site icon Telegrafi

Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për tekstet shkollore, Hoxha: Kuvendi duhet të ndërpres pushimin dhe t’i kthehet punës

Deputetët e opozitës kanë thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit më 4 shtator, për “dështimet e Qeverisë” për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit.

Lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha.

Sipas saj, ky vit i ri shkollor, po fillon i shoqëruar me njërin prej skandaleve më të mëdha të kësaj qeverie.

“Ky vit i ri shkollor, po fillon i shoqëruar me njërin prej skandaleve më të mëdha të kësaj qeverie: pse Dështimin për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Shkollat janë të papërgatitura, nxënësit nuk kanë tekste shkollore e materiale mësimore, ndërsa familjet e prindërit janë të braktisur. Mbi 200 mijë nxënësve nuk do t’iu ofrohen në shkolla tekstet falas, ashtu siç e përcakton ligji dhe ashtu siç ka ndodhur për më shumë së një dekadë.

Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente”, ka thënë Hoxha.

Ajo po ashtu u shpreh në kushtet e paaftësisë dhe mosveprimit të qeverisë, Kuvendi duhet të ndërpres pushimin dhe t’i kthehet punës.

“Prandaj, ne, deputetët e opozitës – anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, kemi iniciuar thirrjen e Seancës së Jashtëzakonshme të Kuvendit e cila do të mbahet të hënën, më 04 shtator.

Në kushtet e paaftësisë dhe mosveprimit të qeverisë, Kuvendi duhet të ndërpres pushimin dhe t’i kthehet punës, e të diskutoj mbi përgjegjësinë e qeverisë për këtë dështim të pashembullt në përmbushjen e mandatit kushtetues e ligjor të saj”, tha ndër të tjera Hoxha. /Telegrafi/

Exit mobile version