Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është diskutuar për seancën e radhës së Kuvendit.
Pas përfundimit të kësaj mbledhje, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se pas zgjedhjeve parlamentare do të ketë qeveri të re që do ta nxjerrë Kosovën nga sanksionet dhe do t’i hapë vendit perspektivë.
Ai ka thënë të hënën se qëndrimet e kryeparlamentarit Glauk Konjufca për Asociacionin e komunave me shumicë serbe janë vetëm qëndrime elektorale “në prag të zgjedhjeve”.
”Këta janë joseriozë. Kjo është situatë e mjerueshme. Veç një fat e kemi, se jemi në prag të zgjedhjeve. Këto janë qëndrime tash në prag të zgjedhjeve, elektorale të tyre. Dhe nuk i sjellin asnjë benefit as Lëvizjes Vetëvendosje por as Qeverisë së Kosovës. Kjo është Lëvizja Vetëvendosje, nuk kanë asnjë përcaktim fatkeqësisht. Nuk shihet interesi i qytetarëve”, tha Tahiri.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit diskutuan që gjatë javës të mbahen dy seanca, por shtoi se “mbetet të shihet nëse VV-ja i ka votat e nevojshme për t’i kaluar vendimet që merren me shumicë të thjeshtë”.
“Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, LDK-ja e konfirmon se do t’i përkrahë. Mbetet të shihet gjatë kësaj jave nëse nuk ka fuqi vendimmarrëse Kuvendi, përgjegjësia mbetet mbi kryeministrin”, ka shtuar ai.
Kurse shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se Qeveria Kurti e ka kthyer Kosovën prapa, duke u shprehur se gjatë këtij mandati s’e ka kryer asnjë punë.
“Kjo qeveri dhe kjo shumicë le që e ka kthyer Kosovën prapa, por i ka dhënë goditjen më të madhe si në aspektin e forcimit të brendshëm, po ashtu edhe dëmtimin e vetë të subjektivitetit ndërkombëtar…Po flasim për standard të dyfishtë, e paparë të mashtrimit që kurdo që duhet të diskutohen çështjet e mirëqenies, kthehemi te ura, te Asociacioni e te veriu, pasi s’kanë çka të flasin tjetër send”, ka theksuar Tahiri. /Telegrafi/