Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, kërkoi dorëheqje morale nga ushtruesit e detyrës së udhëheqësve të dikastereve të shëndetësisë pas rastit tragjik të mbrëmshëm ku në derën e Klinikës së Gjinekologjisë është vrarë mbrëmë një 35-vjeçare shtatzënë.
Ai tha se dorëheqje do të duhej të kishte edhe për rastin ku një fëmijë është abuzuar psiqikisht nga një logoped.
Këto deklarata ai i bëri në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku është paraparë të shqyrtohet Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2023.
Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, tha se kur e dëgjojnë këtë shqyrtim është sikur në dëshirore.
“Nuk ka strategji. Kemi shumë probleme të identifikuara që fare nuk përmenden. Kjo nuk është e çuditshme kur jemi pa ministër të shëndetësisë dhe është qartë se shëndetësia nuk ka qenë prioritet i kësaj qeverie”, deklaroi Dreshaj.
Rasti tragjik i vrasjes së gruas shtatzënë tronditi opinionin ditën e djeshme. 35-vjeçarja që ishte në muajin e fundit të shtatzënisë dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, me të cilin ka qenë në proces të ndarjes. I dyshuari është ende në arrati. /Telegrafi/