Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar këtë të martë një video në faqen zyrtare në Facebook, përmes së cilës ka akuzuar qeveritë e kaluara për keqqeverisje, ndërsa sindikatat i ka quajtur partiake.
Ndaj kësaj videoje ka reaguar ish-kryeministri dhe njëherësh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili e ka quajtur fashizëm politik.
“Sjellja e partisë në pushtet, me video montazhe plot shpifje, është fashizëm politik — urrejtje e tjetrit vetëm se i përket një grupi tjetër politik. Fundi i çdo lloj fashizmi dihet”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai tutje ka thënë se në kohën kur duhet punuar në krijimin e unitetit politik për sfidat që e presin vendin, “këta duan t’i ikin përgjegjësisë”.
“Në kohën kur delegacioni i lartë i partnerëve kryesorë të Kosovës zbarkon në Prishtinë, me të cilët duhet të ulen e të dakordohen të gjitha partitë politike, këta të pabesë nxisin urrejtje politike dhe pamundësojnë koordinimin e nevojshëm politik. Propaganda shpifëse dhe mashtrimi nuk po kryejnë punë më. Fundin e keni prekur tashmë”.
Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se gjatë dy vitesh në qeverisje, LVV-ja dhe kryeministri Albin Kurti të vetmen gjë që kanë prodhuar janë videot me propagandë.
“Duhet të jesh në një gjendje fort të mjerueshme politike siç janë sot Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryeministri Albin Kurti, që pas dy vite qeverisje, në vend se të prezantojnë rezultate të punës, të vetmen gjë që kanë prodhuar, janë videot me propagandë ku sulmojnë kundërshtarët politik me akuza e kundër akuza”.
“Kjo është simptomë se pushteti i Kurtit ka ra në një gjendje të mjerueshme, dëshpëruese dhe të pashpresë. Mjerim për ta, e fatkeqësi për vendin”, ka shkruar Tahiri në Facebook. /Telegrafi/