Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Siç ka deklaruar Kryetari i LDK-se mbrëmë, kryeministri Kurti është dorëzuar e po kërkon viktimizimin. LDK nuk bën mocion, por është e gatshme për zgjedhje kur vendi mbetet pa Kryeministër, dhe natyrisht për qeverisje. LDK nuk ia mundëson e as mundëson dëshirën për viktimizim. Veç dorëheqja pas dorëzimit!”, ka shkruar Haziri në Facebook.
Ai megjithatë thotë se “LDK është gati për të gjitha”.
Ndryshe nga mbrëmë, sot kryeministri Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm të shkojë në zgjedhje nëse opozita është e gatshme të ulet e të bisedojë për shpërndarjen e Kuvendit, por ka theksuar se “nuk ka pse të rrëzohet qeveria”.
“Nëse opozita do zgjedhje, ne jemi të gatshëm ta shpërndajmë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje, nëse opozita do të kemi më pak muaj qeverisje, jemi të gatshëm të bëjmë shpërndarjen e Kuvendit, por jo ta rrëzojmë qeverinë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka përjashtuar mundësinë që të japë dorëheqje./Telegrafi/