Oda e Mjekëve të Kosovës me një apel publik u ka bërë apel të gjithë institucioneve publike që të vihen në zbatim të plotë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
Oda këtë apel e bëri duke qenë se situata pandemike është duke eskaluar dhe se kapacitetet infrastrukturore dhe ato njerëzore nuk lejojnë komoditet institucional sa i përket zbatimit të masave parandaluese.
“Krahas nevojës që të rritet rigoroziteti i zbatimit të plotë të Ligjit Nr. 07/L-006 Anti COVID, Oda e Mjekëve konsideron se është më se e nevojshme që institucionet përgjegjëse, qofshin ato të sistemit profesional shëndetësor apo edhe administrativ, të përfshihen në një fushatë vetëdijësuese lidhur me rëndësinë jetike për t’u vaksinuar qytetarët e Republikës së Kosovës. Për të qenë efektiv procesi i vaksinimit domosdoshmërisht do të jetë e nevojshme që të menaxhohet me kujdes personeli shëndetësor, gjithëherë duke pasur parasysh që tani e dy vjet me rradhë personeli është i mbiangazhuar për t’u përballë me këtë situatë sfiduese”, thuhet në komunikatë.
Tutje, ata shtojnë se “menaxhmenti i institucioneve shëndetësore, kësaj radhe duhet të ketë kujdes dhe të përdorë expertizë në sistematizimin e personelit shëndetësorë nëpër “klinikat Covid”, në atë mënyrë që të mos përsëriten gabimet e valëve të kaluara dhe të dëmtohen shërbimet e tjera të mbingarkuara si emergjencat dhe traumatologjia”.
“Në këtë drejtim, kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës që menjëherë të filloj zbatimin e nenit 20 të Ligjit Nr. 07/L-006 Anti COVID. Apelojmë popullatës së Republikës së Kosovës, se tani mbi të gjitha është prioritare ruajtja e shëndetit publik dhe “shëndeti” i institucioneve shëndetësore dhe se kjo betejë nuk i takon vetëm punëtorëve shëndetësorë por secilit prej nesh”, thuhet në komunikatë.
Oda e Mjekëve shpreh gatishmërinë që të jap kontributin e vazhdueshëm siç e ka dhënë deri më tani, që për çfarëdo veprimi bashkë-institucional si dhe do të jetë përkrah personelit shëndetësor në luftën kundër pandemisë COVID-19. /Telegrafi/