Investitorët e huaj kanë nevojë për përkrahje dhe duhet një shtet i fortë ligjor për zgjidhjen e shpejtë të problemeve të tyre në Kosovë.
Investitorët e huaj janë faktor i rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen ekonomik, andaj edhe duhet ata të nxiten për investime.
Kështu tha ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruari O’Connell gjatë prezantimit për të gjeturat e hulumtimit “After Care” të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Investimeve të Huaja dhe me ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë.
Në hulumtim janë identifikuar përparësitë dhe problemet e investitorëve, ku thuhet se jo stabiliteti politik dhe ekonomik janë barrierat kryesore të problemeve , po ashtu qasja në financa, mungesa energjisë.
Sipas këtij hulumtimi në vitin 2008, 2012 dhe vitin 2015 ka pasur më shumë investime të huaja se sa tash.
Kurse, korniza ligjore në vend, disponueshmëria e punëtorëve të kualifikuar dhe cilësia e jetës ka qenë ndër faktorët që ka ndikuar në vendimet për investim. Sektorët që dominojnë për investime janë: sektori i shitjeve, sektori i shërbimeve, sektori i prodhimit. transporti, etj.
O’Connell tha e ideja nuk është të bëhet vetëm ftesa për investitorëve dhe kaq, ai tha se duhet të nxiten investitorët për t’i rritur investimet e tyre dhe t’i zgjerojnë bizneset, kjo sipas tij do të sjell investitorë të rinj që ndikon në rritjen ekonomike.
“Investitorët kanë nevojë për ndihmë, nuk mjafton vetëm që ata ta sjellin kapitalin këtu. Atyre iu duhet përkrahja dhe shteti i fort ligjor, iu duhet zgjidhje për çdo problem që kanë, dhe mund t’i zgjidhin në mënyrë të drejtë dhe të shpejt nga gjyqësori i Kosovës. Andaj, duhet të mbështeten dhe t’iu krijohen kushte edhe më të mira për vazhdimin e veprimtarive të tyre”, tha O’Conell.
Por, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se po krijohet përshtypja që elita politike e Kosovës është e interesuar vetëm për investime të reja, ndërkohë që po neglizhon investitorët të cilët kanë investuar tashmë në Kosovë.
“Në fakt sa herë që po bëjmë përmirësime të kuadrit ligjor edhe iniciativa të tjera po krijohet përshtypja që elita politike e Kosovës është e interesuar vetëm për investime të reja, ndërkohë që po neglizhon investitorët të cilët kanë investuar tashmë në Kosovë dhe ajo në fakt nuk është ashtu absolutisht për arsye se të gjithë përmirësimet në ambientin e biznesit që po bëhen do t’i gëzojnë edhe investitorët që janë prezent në Kosovë qofshin të huaj apo edhe vendor”, tha ministrja Bajrami.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka apeluar tek të gjitha institucionet e Kosovës më tepër përforcime të diplomacisë ekonomike, sepse të priturat janë shumë më të mëdha dhe mundësitë janë të limituara.
“Nga dimensioni kohor, është i rëndësishëm të gjeturat e këtij hulumtimi, vjen në kohën kur Kosova ka filluar të zbatojë marrëveshjen e MSA… vërtetë kemi nevojë për arritjen e qëllimeve përmes këtyre mundësive bazuar në sundim të rendit dhe ligjit, bazuar në ekspertizë dhe shfrytëzoj rastin të apeloj te të gjithë që të bëjnë më tepër përforcime të diplomacisë ekonomike, sepse të priturat janë shumë më të mëdha dhe mundësitë janë të limituara”, tha Gërxhaliu.
Drejtori i KIESA që është në kuadër të MTI-së, Besian Mustafa tha se duhet bërë edhe më shumë punë për të tërhequr investitorët në Kosovë, por duhet edhe shumë më shumë punë për t’i mbajtur ata që janë në Kosovë, në mënyrë që të investojnë fitimin e tyre në vendin tonë dhe jo në shtetet tjera.
“Ne duhet bërë edhe më shumë punë për të tërhequr investitorët në Kosovë, por duhet edhe shumë më shumë punë për të mbajtur ata që kemi në Kosovë… pastaj ata të rinvestojnë kapitalin e tyre ose fitimet e tyre që realizojnë në Kosovë t’i rinvestojnë në Kosovë dhe mos t’i tërheqin ata për të investuar në shtetet tjera”, tha Mustafa.
Zyrtarë të OEK, gjatë prezantimit të raportit kanë thënë se mbetet shqetësuese mungesa e një databaze e përditshme nëpër ambasada për prezencën e investitorëve të huaj. /KP/