Site icon Telegrafi

Nuk respektuan afatet kohore: 38 federata nuk përfshihen në ligjin e sponsorizimit

Vetëm gjashtë nga 38 federatat sportive të kategorizuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të marrin fonde nga buxheti shtetëror, pasi shumica prej tyre nuk kanë arritur t’i respektojnë afatet kohore të MKRS-së për harmonizimin e akteve të saj normative me Ligjin për Sportin.

Federatat e basketbollit, hendbollit, karatesë, notit, pingpongut dhe triatlonit janë të vetmet që kanë përmbushur kërkesat ligjore sipas dispozitave të reja të Ligjit për sport. Federatat që nuk kanë ndjekur qarkoren e MKRS-së të datës 3 shtator të vitit të kaluar duhet të harmonizojnë aktet e tyre normative me Ligjin për sport, përndryshe do të humbasin financimin shtetëror.

“Ju rikujtojmë se pa harmonizimin e akteve tuaja normative me Ligjin për Sport, nuk do të mund të përfitoni mjete financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga procesi i kategorizimit dhe mbështetjes përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit, dhe nuk do të mund të lëshohen vërtetime nga Ligji për sponsorizim dhe mbështetje të tjera institucionale. Për këtë arsye, thërrasim që brenda afateve kohore të statuteve të federatave përkatëse të ndërmerrni veprime të nevojshme për harmonizimin e dokumenteve përkatëse dhe të na informoni për përfundimin e këtij procesi. Në të kundërtën, përgjegjësia për pezullimin e sistemit të financimit të sportit/federatës përkatëse do të jetë në tërësi e juaja përderisa refuzohet potencialisht të zbatohet legjislacioni në fuqi, që sikurse dihet, nuk është çështje zgjidhjeje por detyrimi”, shkruhet ndër të tjera në letrën e dërguar të enjten nga MKRS-ja, përkatësisht Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive.

(Foto: Facebook/MKRS)

Federatat, klubet dhe sportistët në Kosovë mbështeten kryesisht financiarisht nga shteti. Në vitin 2024, mbi 20 milionë euro janë ndarë për sportin kosovar sipas marrëveshjeve të realizuara me Ligjin për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Në vitin 2024, FFK kryeson sa i përket shumës së parave të përfituara nga marrëveshjet e sponsorizimit, me të hyra prej 1 milion e 120 mijë eurosh, përveç fitimeve milionëshe që vijnë kryesisht nga UEFA.

Federata e Basketbollit e Kosovës ka përfituar ndjeshëm më shumë se në vitin 2023, duke arritur në 834 mijë euro nga marrëveshjet e sponsorizimit, krahasuar me 228 mijë euro të vitit të kaluar.

Federata e Xhudos, një nga më të suksesshmet në Kosovë, ka përfituar 130 mijë euro.

Ligji i sponsorizimit është vetëm një nga mënyrat e financimit për sportin kosovar. Federatat gjithashtu përfitojnë nga kategorizimi që bën Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kategorizimi përdoret për të përcaktuar mbështetjen financiare të shtetit dhe shpesh përcakton rejtingun e federatave sportive.

Federata e Xhudos së Kosovës është e para me 112,26 pikë. Në kategorinë A janë gjithashtu volejbolli me 89 pikë dhe hendbolli me 86,8 pikë.

Foto: Dini Begolli

Federata e Futbollit, me numrin më të madh të sportistëve, është në kategorinë B, por jo e para. Kategorinë B e kryeson Federata e Basketbollit me 84,3 pikë, e ndjekur nga Federata e Futbollit me 83,5 pikë dhe Federata e Karatesë me 80,5 pikë.

Në kategorinë C janë Federata e Pingpongut me 73 pikë, e Mundjes me 71,39 pikë dhe e Boksit me 66,1 pikë. Federatat e tjera, përfshirë atë të atletikës, janë në kategorinë D. /Telegrafi/

Exit mobile version