Neymar Junior i është rikthyer futbollit profesionist në Brazil, duke iu bashkuar klubit të tij të fëmijërisë Santos pas gati 12 vitesh duke luajtur për skuadrat kryesore evropiane dhe një qëndrim të shkurtër në Arabinë Saudite.
Ish-ylli i Barcelonës dhe PSG-së bëri debutimin e tij në barazimin 1-1 të Santos kundër Botafogo në Campeonato Paulista, duke hyrë si zëvendësues në pjesën e dytë.
“Unë e dua Santosin. Nuk kam fjalë për të përshkruar atë që ndjeva sonte kur dola sërish në këtë fushë”, ka thënë Neymar pas ndeshjes.
Edhe pse ai nuk është ende në gjendjen maksimale fizike, Neymar shprehu optimizëm për rikuperimin e tij, duke thënë se do të duheshin edhe disa ndeshje për t’u rikthyer në gjendje të plotë.
Neymar is 𝐛𝐚𝐜𝐤 👑 pic.twitter.com/AndLNRlvYS
— B/R Football (@brfootball) February 6, 2025
Neymar, 33 vjeç, nënshkroi një marrëveshje gjashtëmujore me Santos më 31 janar, me shpresën për ta zgjatur atë deri në Kupën e Botës 2026.
Pasi u largua nga Santos për te Barcelona në vitin 2013 dhe më pas u transferua te PSG për një rekord prej 222 milionë eurosh, ai luajti një kohë të shkurtër me klubin saudit Al-Hilal përpara se lëndimi ta mënjanonte.
Pavarësisht dëmtimit të tij, Al-Hilal fitoi titullin e Superligës Saudite dhe raportet për rikthimin e Neymar në Santos u rritën pasi ai u përjashtua nga skuadra e tyre për gjysmën e dytë të sezonit. /Telegrafi/