Ish kryetari i KSHZ-së Aleksandar Novakovski inkurajon prokurorinë që të ketë qasje sa më serioze ndaj huliganëve që dhunuan deputetët në Kuvend, duke kërkuar rikualifikimin e veprave pasi një sulm i tillë nuk mund të përkufizohet vetëm me pjesëmarrje në turmë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Novakovski i cili aktualisht punon si avokat, beson se kualifikimi tentim për vrasje që iu bë dy personave që kanë sulmuar Zijadin Selën, duhet të zgjerohet edhe tek personat e tjerë.
“Shpresoj se prokuroria për persona të caktuar do ta rikualifikoj veprën. Sulmi ndaj deputetëve të cilëve madje i’u rrezikua edhe jeta mendoj se doemos duhet të zgjidhet deri në fund. Nuk guxon të mbetet asnjë moment i pasqaruar. Duhet të jemi të kujdesshëm. Ky është një hetim serioz, po merren veprime serioze, prandaj edhe gjithë ne duhet të kemi më shumë kujdes”, deklaroi Novakovski, avokat./Telegrafi/