Ministri norvegjez i Mbrojtjes, Bjorn Arild Gram, ka premtuar se do të dërgojë tanke në Ukrainë “sa më shpejtë të jetë e mundur”.
Norvegjia gjithashtu është bërë vendi i fundit nga shtetet perëndimore, që kanë konfirmuar lajmin se do të dërgojnë tanke në Ukrainë, transmeton Telegrafi.
Gram theksoi se akoma nuk është vendosur sesa tanke do të dërgohen, duke shtuar se në pakon e ndihmës ushtarake do të përfshihen me gjasë tanket Leopard 2 të prodhuara në Gjermani.
Sipas të dhënave aktuale, Norvegjia ka 36 tanke të tipit Leopard 2. Në anën tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky prej muajsh i ka bërë thirrje perëndimit që t’i dërgojnë tanke.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë konfirmuar gjithashtu dërgimin e tankeve në Ukrainë, përkatësisht tanket Abrams dhe Leopard 2.
Shtetet e Bashkuara premtuan dërgimin e 31 tankeve të tipit Abrams, kurse Gjermania do t’i dërgojë 14 të tipit Leopard 2.
Tanke të avancuar kanë premtuar të dërgojnë në Ukrainë edhe Polonia, Spanja dhe Britania e Madhe. /Telegrafi/