Site icon Telegrafi

Norris rrëzon nga froni Verstappen, McLaren rikthehet te triumfi që mungonte nga viti 2021

Lando Norris ia del të mposhtë atë që dukej si i pamposhtur në botën e Formula 1, Max Verstappen.

Në Çmimin e Madh të Miamit ishte pikërisht britaniku i McLaren që kaloi i pari vijën e finishit duke lënë pas kampionin e trefishtë të botës si dhe Charles Leclerc të Ferrarit.

Gara shkoi më së miri për Norris që pati edhe ndihmën e fatit në momentin kur në pistë, diku nga mesi i garës u fut makina e sigurisë pas një aksidenti që përfshiu Magnussen dhe Sargeant.

Nëpërmjet kësaj ndërhyrje të makinës së sigurisë, Norris ia doli që të dalë para Verstappen nga bokset dhe më pas britaniku u mbrojt ndaj sulmeve të holandezit, që ndër të tjera u ankua edhe për disa çrregullime në RedBullin e tij. Si përfundim, Norris fitoi garën ndërsa riktheu McLaren te një sukses që i mungonte nga gara e Monzës në vitin 2021.

I dyti përfundoi Max Verstappen ndërsa Leclerc i treti. Pesëshen e parë e kompletuan Perez me Sainz, ndërsa pjesë e dhjetëshes së parë ishin Hamilton, Tsunoda, Russell, Alonso e Ocon.

Sa i takon renditjes së përgjithshme, ajo vijon të kryesohet nga Max Verstappen me 136 pikë, i ndjekur nga Perez me 103, Leclerc i treti me 98, Norris me 83 po aq sa edhe Sainz që mbyll pesëshen e parë. Gara e radhës në Formula 1 është ajo në Emilia Romagna në fundjavën e 17-19 maj. /ss/

Exit mobile version