Site icon Telegrafi

‟Nobel”

Nga: Thoma Note

Na shoqëruan edhe këtë fillim tetori, si çdo vit, lehjet e atyre që do ta kishin mbuluar me jargë puthjesh shkrimtarin Ismail Kadare, nëse ai do të kishte fituar çmimin ‟Nobel”, duke marrë kështu pjesën ‟që u takon” nga lavdia e shkrimtarit të madh. U bënë tashmë më se tridhjetë vjet që i dëgjojmë dhe i vetmi ndryshim që konstatoj është se ato tashmë janë të ngjirura, ose më saktë i përngjasojnë ulërimës së ujqërve ndaj hënës, të cilën nuk e kafshojnë dot.

Një miku im, i cili pati fatin të jetë dëshmitar i përmbysjes së klesidrës, më shprehu mendimin se ‟nuk ka çfarë na duhet çmimi ‟Nobel” i një shkrimtari që ka bërë gjashtë vjersha për Stalinin, përderisa kemi Nënë Terezën dhe Ferid Muratin (ky i dyti ka shpikur viagrën; për ata që nuk e dinë), të cilët kanë qenë me origjinë shqiptare dhe e kanë fituar këtë çmim.”

Ne krenohemi ‟me të drejtë” për origjinën e këtyre figurave të ndritura, por nuk di që ndonjëri prej tyre t’i ketë mëshuar vlerës së origjinës së vet. As i madhi Aleksandër Moisi nuk e ka bërë një gjë të tillë. Pse?

Ndërsa Kadare është i lidhur patologjikisht me kombin shqiptar dhe, edhe pa e thënë ai, atë e lidh vepra e tij me këto troje. E duan lexuesit apo nuk e duan ata që nuk kanë lexuar kurrë letërsi të mirëfilltë, është Kadare që vazhdon të na përfaqësojë denjësisht nëpër botë.

Kadare është dritë-errësira jonë dhe ne duhet ta pranojmë këtë pjesë tonën ashtu siç është, me vlerat dhe dobësitë e veta. Vetëm atëherë, mbase, do të mund të dalim nga zgafella pa dritë, në të cilën kemi rënë.

Argumenti bazë kundër Kadaresë mbetet Stalinizmi. E pranoj se është argument i fuqishëm. Vetëm, mendoj, se nuk duhet harruar se Kadare ka qenë më pak se shtatëmbëdhjetë vjeç kur i ka shkruar këto vjersha. Ato nuk mund të krahasohen kurrsesi me poezitë dhe poemat e tij të mëvonshme, aq më pak me prozën.

Përtypje legjenda në netët e acarta,
Nga uria haje këngët e tua prapë.
Shqipëri,

Të përkulur pas një parmende në muzg,
Të zinte gjumi,
Nën qiellin pus,
Dhe ëndërroje kaq pak lumturi,
Sa në botë s’ka ëndërruar njeri.
‟Përse mendohen këto male” (I. Kadare)

Janë të rrallë ata që i kanë kënduar kaq bukur Shqipërisë.

Unë nuk jam kundër qëndrimit kritik objektiv ndaj kujtdo, gjë që e kam bërë edhe vetë në shkrime të mia të mëparshme, sikurse ka qenë ai ndaj prononcimit denigrues të Kadaresë për kandidatin e parë shqiptar për çmimin ‟Nobel”, At Gjergj Fishtën, mëkat të cilin po e mbart si Gurin e Sizifit që prej mëse tridhjetë vjetësh.

Exit mobile version