Në vitin 1988, në kinematë e botës do të jepet filmi “Rain Man” (Njeriu i shiut) – një nga filmat kult të viteve ’80 të shekullit të kaluar. Ky ishte filmi më fitimprurës amerikan i vitit 1988, por edhe një prej më të vlerësuarve nga kritika. Më 1989, “Rain Man” do të fitojë katër çmime Oscar: për filmin më të mirë, për aktorin në rol kryesor (Dustin Hoffman), për regjinë më të mirë (Barry Levinson) dhe për skenarin më të mirë (Barry Morrow dhe Ronald Bass), shkruan Telegrafi.
Filmi flet për tyxharin Charlie Babbit (Tom Cruise), i cili pas vdekjes së babait merr vesh se ka një vëlla që quhet Raymond, të cilit babai ia kishte lënë në trashëgimi pasurinë milionëshe.
Raymond ishte autist, ndaj nuk dinte të shprehte emocione (pos ankthet). Por, vëllezërit krijojnë shpejtë një lidhje të ngushtë, për çka interesi material nuk do të ketë më rëndësi për Charlien, veçse kujdesi për vëllain që ka edhe sindromën savant: shumë kufizime mendore, por një aftësi të zhvilluar përtej normales (në rastin e Raymondit, atë të kalkulimit).
Frymëzimi për këtë film vjen nga Laurence Kim Peek (1951-2009), autisti savant amerikan, që lindi me lëndime të rënda në tru. Mjekët i thanë babait të tij që ta lë të birin në ndonjë institucion psikiatrik, por ai nuk pranoi.
Babai do t’ia përkushtojë jetën të birit me aftësi të kufizuara, por që shpejtë do të njihet si njeriu me kujtesën e pabesueshme: mundte t’i lexonte dy faqe libri përnjëherë dhe atë për vetëm 10 sekonda, si dhe të kujtojë saktë përmbajtjen e afro 12 mijë librave. Ai e mbante mend librin e numrave të telefonave dhe mund të tregonte se cila ditë e javës binte në cilën datë në çfarëdo dekade.
Dustin Hoffman ka kaluar javë të tëra me të, për ta përgatitur rolin që do ta bëjë të famshëm Peekun – një fenomen global.
Më poshtë është dokumentari që i kushtohet Laurence Kim Peekut, njeriut që jetoi me libra dhe me dhuntinë unike për të cilën ai nuk ishte shumë i vetëdijshëm. /Telegrafi/