Site icon Telegrafi

Njeriu nga e ardhmja

Ekspert për gjithçka, që nga teoria e lojërave e deri te historia bizantine. Ai madje ishte frymëzimi për karakterin sa të shkëlqyeshëm aq të rrezikshëm, Dr. Strangelove. Ananyo Bhattacharya ka shkruar biografinë “Njeriu nga e ardhmja: Jeta vizionare e John von Neummanit”. Recensionin e shkruar nga Manjit Kumar, për këtë biografi, Telegrafi e sjellë të plotë si më poshtë.

“Një fshat tërheqës dhe ceremonial me gjysmë perëndi të vegjël në këmbalecë”, i shkroi Albert Einstein mbretëreshës së Belgjikës. Ishte nëntori i vitit 1933 dhe Einsteini ishte në Prinston të Nju-Xhersit, një muaj pasi e kishte lënë Evropën pas ardhjes së nazistëve në pushtet. Fizikani i famshëm nuk fliste kështu për qytetarët e zakonshëm të qytetit të famshëm universitar, por për disa prej kolegëve të tij të rinj.

Angazhimi i Einsteinit prej Institutit për Studime të Avancuara, ishte sikur kur një yll i ditëve moderne nënshkruan për një ekip futbolli që mbështetet nga ndonjë oligark rus. Prania e tij atje së shpejti e tërhoqi një sistem yjor të matematikanëve. Më i ndrituri prej tyre ishte një hungarez 30-vjeçar.

John von Neumann ishte gjeni i matematikës që e botoi punimin e tij të parë në moshën 18 vjeçare. Shumë larg prej karikaturës së atyre që shkruajnë libra, të matematikanëve me sjellje të çuditshme shoqërore, ai ishte simpatik, dashamirës i gostive, tregimtar që pinte e që si fëmijë në Budapest e zotëronte greqishten e vjetër, latinishten , frëngjishten, gjermanishten, anglishten dhe gjuhën hungareze. Ishte gjithashtu i aftë për llogaritje zhbiruese dhe për një qëndrim befasues në mungesën e mëshirës ndaj jetës njerëzore në kontekstin e Luftës së Ftohtë. Sidoqoftë, pavarësisht se ishte modeli i jetës reale për filmin “Dr. Strangelove” (Dr. Strejnxhlov apo: Si mësova të mos brengosem dhe t’i dua bombat – v.j.) të Stanley Kubrickut, ndihmoi në futjen e njerëzimit në epokën e kompjuterit.

Nuk ka asnjë dyshim për intelektin e tij. Për t’i argëtuar miqtë, recitonte fragmente, fjalë për fjalë, nga librat e lexuar vite më parë. Një historian i paemëruar, kështu thotë historia, do të merrte pjesë në një nga festat legjendare të von Neumannit vetëm nëse nuk të diskutohej historia bizantine, meqë ai donte të ruante reputacionin si eksperti më i shquar në botë për këtë.

Gjeometria joeuklidiane, teoria e grupeve, dilema e të burgosurit, teoremat e papërfunduara të Godelit, makinat e vetëpërsëritjes, teoritë e lojërave dhe ato jopozicionale janë ndër gamat mahnitëse të temave që mbuloi gazetari i shkencës, Ananyo Bhattacharya, teksa na çon në një rrugëtim të mendjes së shpejtë e nevrike të von Neumannit. Pas trajtimit të disa prej temave më nxitëse në matematikë, von Neumann ia kushtoi vëmendjen fizikës duke bëri diçka të jashtëzakonshme.

Me aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të parë përtej kompleksitetit sipërfaqësor të një problemi dhe për ta zbërthyer atë në formën bazike, von Neumann e reduktoi mekanikën kuantike në thelbin e saj dhe në proces dëshmoi se dy formulime konkurruese të teorisë – mekanika e valës e Erwin Schrodingerit dhe mekanika e matricës e Werner Heisenbergit – ishin në fakt një dhe e njëjta. Një rezultat ky që e frymëzoi për të ndërtuar kuadrin e parë rigoroz për shkencën e re të fushës atomike.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, von Neumanni shpejt u bë ekspert në shkencën e balistikës dhe të shpërthimeve. I angazhuar si konsulent në Projektin Manhatan, në angazhimet e fshehta për ta krijuar bombën atomike, e zbuloi mënyrën më të mirë për ta shpërthyer atë. Zgjidhja e ekuacioneve kërkonte një numër të madh të përpunimeve me ndihmën e kalkulatorëve mekanikë. Duke i analizuar mënyrat për të përshpejtuar punën që kërkon shumë kohë, von Neumanni hasi te Kompjuteri Elektrik Numerik dhe Integral, te makineria që u zhvillua për ushtrinë për të llogaritur tabelat e qitjes për artilerinë. Ju keni mundur të jetoni brenda ENIAC-ut, pasi e zinte një dhomë prej 30 metrave të gjerë dhe 56 metrave të gjatë. Përbëhej prej rreth 18 mijë tubave të vakumit dhe pirgjeve me tela e ndërprerës të rregulluar në panelet 2.5 metra të gjata. Von Neumann ndihmoi në shndërrimin e makinerisë në kompjuterin e parë digjital të programueshëm në botë.

Në një përpjekje për të kuptuar konfliktin dhe bashkëpunimin, von Neumann bashkëshkroi një libër prej 640 faqesh mbi teorinë e lojërave që pati ndikim të madh në ekonomi, në psikologji dhe në strategji ushtarake. Ai e aplikoi teorinë e lojës në luftën bërthamore, duke e mbrojtur hapur sulmin parandalues ndaj Bashkimit Sovjetik. “Për rusët nuk është çështja nëse, por kur”, tha ai për revistën “Life”. “Nëse thoni: ‘Pse të mos i bombardoni nesër’, unë them ‘e pse jo sot?’ Nëse thoni: ‘Sot në orën pesë’, unë them ‘e pse jo në orën një?’”. Ai ishte i përgatitur për ta kthyer njerëzimin në epokën e gurit, por, siç u zbulua në këtë biografi të re të mrekullueshme, Von Neumann bëri shumë për ta krijuar botën në të cilën ne sot jetojmë. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Pesëdhjetë vjet pas: “2001: Odiseja hapësinore”, një mister për njerëzimin!
Exit mobile version