Në botën e sotme digjitale, programimi është bërë një nga aftësitë më të vlefshme dhe më të kërkuara.
Dy gjilanaset kanë shprehur interesimin dhe dëshirën që përkushtimin e tyre përveç në shkollë, ta zhvillojnë edhe në fushën e teknologjisë.
Borela dhe Omela Canaj, kanë lindur dhe po rriten në qytetin e Gjilanit, janë binjake dhe që në moshë të hershme kanë filluar të ndjekin kurse të programimit.
8-vjeçaret të cilat tashmë kanë përfunduar klasën e tretë, tash e një vit e gjysmë vijojnë kurse të ndryshme të programimit, ku si rrjedhojë kjo ka bërë që ato të rangohen edhe në klasë si më të mirat në fushën e teknologjisë.
Që nga klasa e dytë, binjaket Canaj kanë shprehur dëshirën dhe interesimin për këtë fushë, ku fillimisht kanë mësuar word-in, excel-in e pastaj edhe programimin.
Ato kanë arritur rezultate kulminante duke krijuar gjëra të ndryshme me anë të programimit.
Rezultatet e arritura dhe përvojat që ato kanë fituar nga kurset e ndjekura, binjaket i kanë ndarë edhe me shokët dhe shoqet e klasës.
Ndryshe, arritjet e binjakeve janë si rezultat i përkujdesjes së prindërve, derisa të njëjtit shprehen të kënaqur me arritjet e vajzave të tyre dhe theksojnë se ato aspirojnë një karrierë në teknologji. /Telegrafi/