Një britanik është infektuar me gripin e shpendëve, ka konfirmuar Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA).
Sipas medieve britanike, përcjell Telegrafi, agjencia tha se një rast ishte identifikuar në një person në jugperëndim të Anglisë.
Megjithatë, rreziku për publikun e gjerë nga gripi i shpendëve vazhdon të jetë shumë i ulët, tha UKHSA.
Sidoqoftë, ajo paralajmëroi se njerëzit nuk duhet të prekin zogjtë e sëmurë ose të ngordhur.
Në një deklaratë, UKHSA tha: “Transmetimi i gripit të shpendëve nga shpendët te njeriu është shumë i rrallë dhe ka ndodhur vetëm në numër të vogël më parë”.
“Personi e ka marrë infeksionin nga kontakti shumë i ngushtë dhe i rregullt me një numër të madh zogjsh të infektuar, të cilët i kanë mbajtur brenda dhe rreth shtëpisë së tyre për një periudhë të gjatë kohore”.
“Të gjitha kontaktet e individit, përfshirë ata që kanë vizituar ambientet, janë gjurmuar dhe nuk ka asnjë provë për përhapje të mëtejshme të infeksionit te dikush tjetër. Individi aktualisht është mirë dhe i izoluar”.
Ndryshe, Mbretëria e Bashkuar aktualisht po sheh shpërthimin e saj “më të madh ndonjëherë” të gripit të shpendëve.
Rreth gjysmë milioni zogj janë asgjësuar deri më tani, sipas shefes së veterinarisë në Mbretërinë e Bashkuar, Christine Middlemiss, e cila tha se ka 40 ambiente të infektuara në MB – përfshirë 33 në Angli. /Telegrafi/