Me thirrjen “Rroftë Shqipëria” dhe me flamurin kombëtar të valëvitur prej tij, Sali Berisha e mbylli protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike këtë të shtunë, ku u bë thirrje për qeveri teknike dhe u dënua korrupsioni i qeverisë Rama.
Vetëm një orë zgjati tubimi i opozitës. Në orën 5:40 Sali Berisha pas marshimit nga selia blu mbërriti në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në 6:43 minuta u largua nga skena, ndërsa protestuesit u shpërndanë menjëherë pas tij.
Tubimi ishte organizuar në një format, ku u dëgjuan fjalimet e tre aleatëve kryesorë, Fatmir Mediu, Agron Duka dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili iu drejtua protestuesve me një audiomesazh nga qelia numër 5.
Pas tyre fjalimi i Berishës zgjati 30 minuta dhe u përqendrua te akuzat drejt kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, por edhe te thirrja për Diasporën që të votojë Partinë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit.
Pavarësisht se u duk që mungoi nervi i protestave të mëparshme, e po ashtu edhe molotovi, tre efektivë policie mbetën të lënduar, pasi në momentin kur Berisha u ngjit në podium protestuesit hodhën kapsolla dhe tymuese në drejtim të kordonit të vendosur para Kryeministrisë. Një punonjëse e policisë ka marrë dëmtime në sy, një efektiv në dorë e një tjetër në fytyrë.