Site icon Telegrafi

Një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen në Zllakuqan të Lipjanit

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur masën e paraburgimit për të pandehurin S.K., i cili dyshohet për kryerjen e veprave penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes së paautorizuar të armëve.

Gjykata vlerësoi se paraburgimi është një masë e nevojshme për të parandaluar mundësinë e arratisjes së të pandehurit, ndikimin e tij mbi dëshmitarët dhe ndryshimin e provave, si dhe për të shmangur përsëritjen e veprave penale.

Lexo po ashtu Detaje për vrasjen në Zllakuqan të Lipjanit - arrestohen babë e bir

Ngjarja që çoi në këtë vendim gjyqësor ndodhi të mërkurën në Zllakuqan të Lipjanit, ku një përleshje mes disa personave përfundoi me vrasjen e një 57-vjeçari dhe plagosjen e një tjetër. Viktima humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë, ndërsa konflikti mes dy familjeve dyshohet se kishte motive të ulëta.

Palët e pakënaqura me këtë aktvendim kanë të drejtë të apelojnë në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Telegrafi/

Exit mobile version