E ardhmja e Lionel Messit është një prej temave më të përfolura aktualisht në botën e futbollit, pasi superylli argjentinas pritet të jetë lojtar i lirë në fund të sezonit.
Spekulimet janë elektrizuar pas raportimeve se klubi saudit, Al-Hilal, është duke përgatitur një ofertë prej 220 milionë eurosh në vit që t’i bashkohet rivalit të tij më të madh, Cristiano Ronaldo, në Lindjen e Mesme.
Kampioni i botës është përpjekur ta rinovojë kontratën me Paris Saint-Germainin, mirëpo deri më tani nuk ka pasur marrëveshje, ndërsa eliminimi nga Liga e Kampionëve zbeh gjasat për qëndrimin e tij në Parc des Princes.
Interesimi i klubeve për shërbimet e tij është i madh, mirëpo gjithçka varet nga paga e tij e majme dhe kush mund ta paguajë atë.
Krahas Arabisë Saudite, e ardhmja e tij mund të qëndrojë edhe në MLS, ku ka shprehur interesim Inter Miami, pastaj gjithmonë është folur për një rikthim te Barcelona në La Liga apo te klubi i fëmijërisë në Argjentinë, Newell’s Old Boys.
Me gjithë interesimin e këtyre klubeve, gjasat reale janë që Messi mund ta vazhdojë karrierën në Superligën arabe, pasi vështirë se mund të refuzohet një ofertë e tillë në momentin e pranimit. /Telegrafi/