Site icon Telegrafi

Një gjykatë ruse e ka gjobitur Google me një shumë ‘që as nuk ekziston në tokë’ – por kjo e fundit ‘as që po merret me të’

Një gjykatë ruse e ka gjobitur Google me një shumë “që as nuk ekziston në tokë” – dhe ajo mund të vazhdojë të rritet.

Një çështje gjyqësore katërvjeçare kundër gjigantit të teknologjisë amerikane thuhet se ka kulmuar me një gjobë prej 20,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000, ose 20 decilionë dollarë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, situata filloi kur Google ndaloi kanalin ultra-nacionalist Tsargrad nga YouTube në vitin 2020, si përgjigje ndaj sanksioneve të vendosura nga SHBA kundër pronarit të tij.

Dhe pasi Rusia filloi agresionin e plotë mbi Ukrainë në vitin 2022, të tjera kanale u shtuan në “listën e të ndaluarve”.

Disa kanale të tjera në YouTube, duke përfshirë Sputnik, NTV, Russia 24, dhe përfundimisht të gjitha kanalet shtetërore ruse u bllokuan në vitin 2022 pasi pushtimi rus i Ukrainës filloi në shkurt të atij viti.

Zvezda, një kanal televiziv në pronësi të ministrisë së mbrojtjes së Putinit, ishte një nga 17 stacionet që paditën Google për heqjen e kanaleve dhe përmbajtjes së tij nga YouTube.

Gjykata ruse vendosi në favor të tyre dhe gjobat në rritje gradualisht kanë arritur tashmë këtë shumë astronomike.

Gjykata vendosi një 100,000 rubla në ditë, ekuivalente me rreth 1,025 dollarë, me gjobën totale që dyfishohej çdo javë.

Kështu, falë interesit, Google tani ka “grumbulluar” një gjobë të cilën gjykatësi rus të hënën e quajti “një rast në të cilin ka shumë, shumë zero”.

Por nuk duket se Google në të vërtetë do ta paguajë gjobën, apo edhe ta tentojë atë.

Madje, kompania mëmë e Google, Alphabet, duket mjaft e qetë për të gjithë situatën. /Telegrafi/

Exit mobile version