Telegrafi

Nga 1 janari një biletë për gjithë transportin urban në Prishtinë, komuna nënshkruan kontratë me 24 operatorë privatë

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar sot kontrata me 24 operatorë privatë të transportit publik në kryeqytet.

Përmes kësaj kontrate, këta operatorë obligohen që të blejnë autobusë të rinj brenda një viti, në të kundërtën atyre mund t’u revokohet licenca.

Me këtë marrëveshje, operatorët do të paguhen nga komuna për çdo kilometër të shpenzuar.

I pari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se po bënë shumë ndryshime në kryeqytet në të mirë të qytetarëve.

Rama tutje ka bërë të ditur se kjo kontratë do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

“Sot është një ditë që shënon një transformim të kryeqytetit, ne po e ndërlidhim transportin privat. Sektori privat që ka funksionuar me kontrata 1-vjeçare tani e tutje do t’i kenë 8-vjecare.

Me këtë kontratë qytetarët do të kenë vetëm një biletë që vlenë për të gjithë transportin urban. I kemi 24 kompani që do e nënshkruajnë kontratën me ta. Me kontrata 8-vjeçare secili prej jush keni me pas mundësi të bleni autobusë të rinj, ndoshta edhe elektrik”, ka deklaruar Rama. /Telegrafi/