Në muajin nëntor të vitit 2023, Nissan filloi një test fizibiliteti 12-mujor me të ashtuquajturin “ngjyrë e ftohtë: në Terminalin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tokios në Haneda. Në bashkëpunim me Japan Airport Terminal Co dhe All Nippon Airways (ANA), boja u aplikua në disa furgona Nissan NV100 të përdorura nga punonjësit e aeroportit.
Me zona të mëdha të hapura të ekspozuara ndaj dritës së diellit, Haneda Airport ofroi mjedisin e përsosur për të vlerësuar performancën e bojës. Rezultatet paraprake janë mbresëlënëse, duke treguar një ulje deri në 5,7 gradë Celsius në temperaturën e sipërfaqes së jashtme dhe deri në 12,7 gradë Celsius temperaturë më të ulët të brendshme në krahasim me automjetet me ngjyrë konvencionale.
Kur temperatura e jashtme është rreth 35 gradë Celsius, nëse e lëmë automjetin të parkuar në diell, kabina bëhet një ferr i vërtetë dhe në vetëm gjysmë ore mund të kalojë lehtësisht 50 gradë Celsius.
Megjithëse veshjet termike nuk janë të reja dhe janë përdorur në ndërtesa për dekada, aplikimi i tyre në automjete paraqet sfida të rëndësishme.
Ndryshe nga veshjet e tjera termike që zakonisht janë të trasha dhe aplikohen me rula, boja e ftohtë e Nissan është mjaft e hollë për t’u spërkatur dhe mund të përmbajë një shtresë të sipërme të pastër për ta mbrojtur atë nga dëmtimet si gërvishtjet.
Me trashësi afërsisht 120 mikron, boja është shumë më e hollë se 400 mikronët e zakonshëm, apo edhe 800 mikron të bojërave termike më të përdorura. Megjithatë, boja e ftohtë e Nissan është ende rreth gjashtë herë më e dendur se boja tipike e automobilave, kështu që vjen me masë shtesë. Për ta zgjidhur këtë, marka japoneze po teston bojën e saj në trashësi të ndryshme. /Telegrafi/