Një mision i ri drejt Hënës ka filluar sot në mëngjes, duke shënuar kështu misionin e parë hënor të SHBA-së në më shumë se 50 vjet.
Sonda Intuitive Machines’Nova-C është lansuar nga Florida me raketën Falcon 9 të SpaceX duke nisur misionin IM-1.
“Është një moment për të gjithë ne në Intuitive Machines. Mundësia për të kthyer Shtetet e Bashkuara në Hënë për herë të parë që nga viti 1972 është një vepër inxhinierike”, tha nënkryetari i sistemeve hapësinore të Intuitive Machines, Trent Martin.
Sonda IM-1 e quajtur “Odise” sipas heroit mitologjik grek, mban 12 ngarkesa qeveritare, gjashtë prej të cilave janë të NASA-s sipas një kontrate 118 milionë dollarëshe (109,659,170 euro).
Udhëheqja e NASA-s ka theksuar para nisjes se ky mision është i dyti nën iniciativën e Shërbimeve Komerciale Lunar Payload nga NASA, e cila synon të dërgojë projekte shkencore dhe ngarkesa në Hënë.
Deri më tani, kompania ka konfirmuar se IM-1 ka arritur tri nga qëllimet e tij – lëshimin, ndarjen nga raketa, dhe fillimin e punës, shkruajnë mediat e huaja, shkruan CNBC, përcjell Telegrafi.
Në një përditësim tetë orë pas nisjes, Intuitive tha se sonda gjendet në një pozicion të qëndrueshëm me bateritë e saj që po mbushen nga energjia diellore, dhe se është vendosur kontakti me kontrollin e misionit të kompanisë në Hjuston.
IM-1 pritet të kalojë rreth tetë ditë në Hënë përpara se të kthehet në Tokë më 22 shkurt. Misioni synon studimin e kraterit “Malapert A”, rreth 300 kilometra nga poli jugor i Hënës.
Ndryshe, muajin e kaluar Japonia u bë vendi i pestë që zbarkoi në Hënë, pas Rusisë, SHBA-së, Kinës, dhe Indisë.
Qeveritë dhe kompanitë private kanë bërë më shumë se 50 përpjekje për të zbritur në Hënë që nga fillimi i viteve të 1960.
Vitin e kaluar kompania japoneze Ispace bëri përpjekjen e parë të saj për të zbritur në Hënë, por anija komzike e saj u rrëzua në momentin e fundit.
Gjithashtu, muajin e kaluar kompania amerikane Astrobotic nisi misionin e parë hënor nga Toka, por hasi në probleme pas nisjes.
NASA ka bërë të ditur se më shumë përpjekje drejt Hënës janë në rrugë e sipër, pasi këtë vit pritet të nisin disa misione shtesë. /Telegrafi/