Site icon Telegrafi

​Nis mësimin gjenerata e katërt e nivelit 5 të kualifikimit për asistent për nxënës me nevoja të veçanta arsimore

Për vitin 2022/2023 janë ndarë mjetet financiare për angazhimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, ndërsa planifikohet që gjatë katër vjetëve të angazhohen nga 100 asistentë çdo vit.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci para kandidatëve të gjeneratës së katërt, të cilët sot kanë filluar mësimin në programin e nivelit 5 të kualifikimit për asistent për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore.

Duke folur për përkushtimin e MASHTI-t për arsim gjithëpërfshirës dhe cilësor, por edhe zhvillimin e politikave për reformimin e arsimit dhe aftësimit profesional, ministrja Nagavci ka theksuar mbështetjen e Ministrisë edhe në këtë iniciativë.

Ajo uroi që kandidatët të cilët do të ndjekin nivelin 5 të kualifikimit për një vit, të arrijnë kompetencat e nevojshme, në mënyrë që të arrihet qëllimi për përmirësimin e cilësisë së jetës për fëmijët/nxënësit me nevoja te veçanta arsimore.

Ndërkaq, Fikrije Zymberi, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së AAAPARr, ndër të tjera theksoi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me organizatën ndërkombëtare Pearson, e cila bën sigurimin e jashtëm të cilësisë për këtë kualifikim.

Niveli V i kualifikimit është duke u zbatuar për herë të parë në institucionet publike në Kosovë. Ky kualifikim ofrohet në institucione që ofrojnë arsim dhe aftësim profesional në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Ferizaj, ndërsa deri më tani kanë diplomuar gjithsej 188 kandidatë.

Për këtë gjeneratë janë pranuar 54 kandidatë të ndarë në dy grupe, të cilat kanë filluar mësimin në Qendrën e Kompetencës ”Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, si dhe në Qendrën Burimore “Përparimi” në Prishtinë.

Exit mobile version