Qeveria miratoi planin kundër korrupsionit. Sipas kryeministrit Zoran Zaev, përparësi do të jetë pastrimi i gjyqësorit përmes digjitalizimit të prokurorisë, rritja e kompetencave të inspektorëve dhe bashkëpunimi më i madh mes institucioneve. Pas katër viteve në pushtet, Zaev thotë se tani është i gatshëm t’i shkatërrojë mbetjet e regjimit të qeverisë së mëparshme, qeverisja e të cilëve ka shkatërruar sistemin e shtetit. Zaev vlerëson se qytetarët tani e dallojnë përpjekjen e tyre dhe se tani ka drejtësi dhe me këtë, sipas kryeministrit ka edhe paqe.
“Ndodhemi në një vit jashtëzakonisht të rëndësishëm. “Veprimi 21” do të thotë – rregull, drejtësi, disiplinë dhe asgjë më pak se kaq. Ju ftoj edhe juve qytetarë të dashur, të bashkoheni dhe të jepni më të mirën tuaj tani. Kur jemi më të përgatitur për ta bërë jetën në shtëpi më të mirë dhe më të bukur”, deklaroi Zaev.
Zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit Lupço Nikollovski, nga ana tjetër, pohon se rezultatet e planit të qeverisë do ta rikthejnë besimin te institucionet. Plani është hartuar sipas kërkesave dhe udhëzimeve të OJQ-ve dhe organizatave të shoqërisë civile që punojnë për të luftuar korrupsionin në vend. Nikollovski njoftoi se do të shkurtohet koha për realizimin e të drejtave të qytetarëve dhe do ketë dënime më të ashpra për zyrtarët që do të përpiqen të korruptohen.
“Qytetarët do të kenë edhe një vend tjetër ku do t’i paraqesin të gjitha informacionet dhe të dhënat për realizimin e të drejtave të tyre, se nuk janë në afatin e duhur. Ndërsa arsyet e mundshme në këtë pjesë mund të jenë korruptive. Ne i zbuluam të gjitha fushat ku kemi dobësi dhe vërtetë ajo që irriton më së shumti qytetarët është pikërisht pamundësia që përmes institucioneve t’i realizojnë të drejtat e tyre”, deklaroi Lupço Nikollovski.
Në renditjen e fundit të indeksit të korrupsionit, Maqedonia e Veriut u gjet në vendin e 111-të në botë dhe ky për vendin është rezultati më i keq deri më tani. Mosndëshkimi, rruga e parave të zeza, liritë e njeriut dhe zyrtarët që lehtë korruptohen ishin vetëm disa nga kritikat e theksuara në raportin për vendin tonë./Alsat/