Nick Cave ka shpërndarë një tekst kënge të krijuar nga softueri viral i çetbotit [chatbot] ChatGPT, që është shkruar “në stilin e Nick Cave-it”, duke e quajtur atë “bërllok” dhe “tallje groteske”, shkruan Guardian, transmeton Telegrafi.
Duke shkruar në faqen e tij Red Hand Files, Cave iu përgjigj një adhuruesi nga Zelanda e Re – i quajtur Mark – i cili ia kishte dërguar një tekst të shkruar nga ChatGPT. Inteligjenca artificiale që mund të orientohet për të imituar stilin e personave të caktuar, u përdor nga Marku për të krijuar një tekst “në stilin e Nick Cave-it”.
E mbushur me imazhe të errëta biblike, teksti i ChatGPT-së përfshinte refrenin: “Jam mëkatar, jam shenjtor / Jam errësira, jam drita / Jam gjahtar, jam pre / Jam djall, jam shpëtimtar”.
“Mjafton të them se nuk e ndjej të njëjtin entuziazëm rreth kësaj teknologjie”, shkroi Cave. “E kuptoj se ChatGPT është në nismë, por ndoshta ky është tmerri që del nga inteligjenca artificiale – se ajo do të jetë përgjithmonë në nismë, pasi gjithmonë do të duhet të shkojë më tej, dhe drejtimi është gjithmonë përpara, gjithmonë më i shpejtë. Nuk mund të kthehet prapa, ose të ngadalësohet, pasi na çon ndoshta drejt një të ardhmeje utopike, ose në shkatërrimin tonë total. Kush mund të thotë në cilin drejtim? Megjithatë, duke gjykuar nga kjo këngë ‘në stilin e Nick Cave’-it, nuk duket mirë Mark. Apokalipsi është në rrugë të mbarë. Ky tekst është i frikshëm”.
Ai e quajti ChatGPT-in ushtrim në “replikimin travestit”.
“Të shkruash tekst të mirë, kjo nuk është mimikë, replikim apo kopjim, është e kundërta”, ka shkruar ai.
Cave, i cili është duke i shkruar këngët për një album të ri me grupin Bad Seeds, shtoi: “Mund të duket sikur gjithë këtë po e marr disi si shumë personalisht, por jam autor i angazhuar, pikërisht në këtë moment, në procesin e shkrimit të këngëve. Është një punë me gjak dhe djersë, këtu në tavolinën time, që kërkon diçka nga unë për të iniciuar idenë e re dhe të freskët. Kërkon humanizmin tim”.
Ai e falënderoi Markun, por tha: “Me gjithë dashurinë dhe respektin, kjo këngë është bërrlok, një tallje groteske e asaj që do të thotë të jesh njeri dhe, po ashtu, nuk më pëlqen”.
ChatGPT ka shkaktuar alarm mes institucioneve arsimore për aftësinë për të shmangur mjetet e zbulimit të plagjiaturës. Të martën, një pedagog në Universitetin Deakin në Australi zbuloi se botët ishin zbuluar në pothuajse një të pestën e vlerësimeve, duke shkaktuar shqetësime se inteligjenca artificiale po përdoret gjerësisht për të mashtruar në provime. /Telegrafi/