Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas rritjes së çmimeve të disa produkteve bazike.
Haxhiu përmes një shënimi në Facebook ka thënë se ngritja e tillë e çmimeve paraqet vepër penale.
“Ditëve të fundit dhe sidomos sot kemi vërejtur një ngritje enorme, aspak normale dhe tërësisht të paarsyeshme të çmimeve të produkteve ushqimore bazike të konsumatorëve nga subjektet tregtare. Kjo tendencë për keqpërdorim të situatës e dëmton jashtëzakonisht xhepin e qytetarëve dhe duhet të marrë fund sa më parë”.
“Një kurdisje dhe orkestrim të të cilit po jemi dëshmitarë, është vepër penale e sanksionuar në mënyrë të dyfishtë, me burgim (1-5 vite) si dhe dënim shtesë me gjobë, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”.
Haxhiu ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që të marrë veprime kundër këtyre personave.
“Ftoj Prokurorin e Shtetit, që bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përcaktuara, të ndërmarrë menjëherë veprime në përputhje me mandatin e tij, kundër abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm që me veprimet e tyre po dëmtojnë qytetarët e vendit tone”, ka shkruar tutje Haxhiu./Telegrafi/