Mbikëqyrësja e skenarit, Mamie Mitchell, ka ngritur një padi të mërkurën kundër Alec Baldwin dhe producentëve të filmit, duke thënë se pësoi lëndime ‘emocionale dhe fizike’, kur aktori qëlloi për vdekje kinematografen.
Mamie ngriti padinë në Gjykatën e Los Angelesit dhe do të përfaqësohet nga avokatja Gloria Allred. Në ankesë, ajo theksoi se po qëndronte vetëm katër metra larg Baldwinit në momentin kur ndodhi aksidenti.
“Paditësja ishte e tmerruar dhe kishte frikë për jetën e saj”, thuhet në padi. “Të shtënat me armë zjarri bëri që paditësja të përjetonte dhimbje në veshët dhe kokën e saj dhe, menjëherë pas kësaj, filloi të dëgjojë zhurmë të madhe në veshët e saj. Po ashtu, ishte dëshmitar i tmerrit të asaj që kishte ndodhur”.
Kinematografja Halyna Hutchins mbeti e vrarë nga të shtënat në xhirimet e filmit “Rust”, gjersa regjisori Joel Souza u plagos.
Padia pretendon se Alec duhet të kishte kontrolluar armën përpara se të ndodhte incidenti.
Mitchell ishte e para që kontaktoi 911 pas rastit tragjik.
“Nuk do ta harroj kurrë atë që ndodhi në xhirimet e ‘Rust’ atë ditë”, tha Mitchell në një konferencë shtypi. “Kjo tragjedi ka hequr gëzimin e jetës sime. Unë kurrë nuk dua që ajo që ndodhi në grupin tonë t’i ndodhë ndonjëherë dikujt tjetër”.
Padia është e dyta që ngrihet në tragjedinë e “Rust”. Serge Svetnoy, paraqiti një kërkesë të veçantë javën e kaluar, duke deklaruar se ai gjithashtu ishte në afërsi të Baldwin kur u qëllua dhe gjithashtu pësoi dëmtime fizike dhe emocionale. /Telegrafi/