Nga: Bajram Karabolli (rreth romanit “Festa e cjapit” e nobelistit Mario Vargas Llosa)
“Festa e cjapit” është një roman kompozuar njëkohësisht në tri plane narrative. Njëri i takon rrëfimit të Uranisë, bijës së senatorit Agustin Kabral, e cila kthehet në Republikën Dominikane pas më se tri dekada për t´u takuar me të atin paraplegjik, por edhe me adoleshencën e saj drithëruese. Historia e saj fillon dhe mbaron në të njëjtin ambient, në Hotel “Haragua”.
Për të krijuar në tekst ndjeshmëri të veçantë dhe mbizotëruese lidhur me diktaturën truhijiste (Rafael Trujillo) autorit i është dashur t´i drejtohej një strategjie të tillë narrative: ta përmbyste historinë në rreptësinë e saj normative dhe ta nxirrte nga ftohtësia e vet dokumentare për ta pleksur me lirinë krijuese që na jep hapësira e romanit.
Diktaturat, qoftë të djathta apo të majta, është e pamundur të mos i ngjajnë njëra-tjetrës.
Prandaj, kur lexova “Festën e cjapit” thashë me vete se Mario Josa (Mario Vargas Llosa) e paska shkruar këtë roman për ne shqiptarët. Përjetimi që më përcolli kjo vepre e mrekullueshme letrare më nxiti ta përkthej për lexuesin shqiptar.
“Festa e cjapit” mbështetet në një punë tejet këmbëngulëse investigimi mbi “Kohën e Truhijos”. Autori ka jetuar disa vite në Republikën Dominikane, duke marrë dëshmi nga persona që kishin përjetuar diktaturën e Truhijos dhe duke hulumtuar fakte e dokumente të asaj diktature të egër, e cila arriti të depërtojë jo vetëm në vetëdijen e dominikanëve, por edhe në ëndrrat e tyre. E njëjta gjë ndodhi edhe me shqiptarët gjatë diktaturës së Enver Hoxhës, e cila zgjati edhe një dekadë e gjysmë më shumë se ajo e Truhijos në Republikën Dominikane. Në roman marrim vesh se qytetarët domenikanë, te dera e shtëpisë së tyre vendosnin një pllakë mburravece ku shkruhej: “Në këtë shtëpi Truhijo është Zot”. Po kështu, edhe shumica e shqiptarëve, në vdekje të rënda familjare ngushëlloheshin me shprehjen idiote: “Të na rrojë Partia dhe shoku Enver!”
Midis personazheve realë dhe imagjinarë në këtë roman të madh, vetë Truhijo është një personazh i garantuar në saje të një hulumtimi rigoroz historiografik. Autori përdor romanin për të bërë të ditur një histori të përcaktuar politike dhe sociale, duke lidhur në seri realitetin dhe fiksionin. Nëse do të shkruhej një roman për diktaturën komuniste në vendin tonë, sigurisht modeli më i mirë për të plazmuar figurën e E. Hoxhës, do të ishte personazhi i “Festës së cjapit”, pra, “Udhëheqësi i Madh”, Mirëbërësi i Atdheut, Truhijo. A nuk e quanin kështu shtetasit e vet edhe diktatorin Enver Hoxha: “Udhëheqësi i Dashur dhe i Shtrenjtë”, “Krijuesi i Shqipërisë Socialiste” etj.?!
Në Republikën Dominikane, gjatë diktaturës së Truhijos, emrin Santo Domingo të kryeqytetit e zëvendësuan me emrin “Qyteti Truhijo”. Edhe tek ne, gjatë diktaturës, pasi u vu emri i diktatorit anë e mbanë Shqipërisë, u propozua, dhe për një qime shpëtoi, që Tirana të quhej “Qyteti Enver Hoxha”.
Ne shqiptarët do të mundnim t´i kuptonim si askush tjetër mizoritë dhe veprimet arbitrare të një diktatori si Truhijo, i cili kishte në duart e tij fatin e tre milionë dominikanëve. Edhe diktatori ynë kishte në dorë fatin dhe jetën e tre milionë skllevërve, duke përfshirë te skllevërit edhe figurën numër dy, Mehmet Shehun.
Në këtë roman, edhe pse kemi të bëjmë me një fiksion, pothuajse nuk shmanget aspak e vërteta objektive e historisë. Përkundrazi, vihet në dukje karakteri i saj kompleks, zhytet në kontradiktat e saj dhe e shton besueshmërinë e saj. I njëjti realitet historik u përjetua edhe në Shqipëri gjatë diktaturës komuniste, pesëdhjetë vjeçare.
Te “Festa e cjapit” nuk do të kuptohej dot ndryshimi i sjelljes së komplotistëve, ish-truhijistë të betuar, të cilët, fare bindshëm ia patën nënshtruar dinjitetin e tyre një diktatori që e konsideronin si perëndi, por, më pas, janë të zotët të kryejnë akte heroike, për hirë të atij dinjiteti të humbur. Ky dualitet shprehet qartë te figura e Toni Imbertit, një nga ekzekutuesit e Udhëheqësit. Kjo ishte e vetmja gjë që nuk ndodhi kurrë me diktatorin tonë. Nga bashkëpunëtorët e tij, kurrkush, asnjëherë, nuk doli dot nga nënshtrimi, nga skllavëria, për t´iu kundërvënë atij.
“Festa e cjapit”, më shumë se një roman historik apo një histori e letrarizuar, është një vepër realiste. Në të shqyrtohet një çështje e thellë rreth pushtetit, mbi kufijtë ku mund të arrijë një njeri, kur akumulon një fuqi të pakontrollueshme që vetë shoqëria ia dhuron. Diktatori ynë, E. Hoxha zëvendësoi Zotin, me miratimin e vetë shtetasve të tij. Kishte aq fuqi sa, me një shenjë të vogël, mundi të asgjësoi edhe numrin dy të vendit.
Reflektimi i personazhes kryesore në këtë roman, Uranisë, përpara të atit, është tejet i rrjedhshëm dhe kuptimplot, lidhur me sa shtruam më lart. Ja ç’i tha ajo të atit: “Pas aq vjet shërbimi ndaj Udhëheqësit, kishe humbur skrupujt, ndjeshmërinë, s’kishe as më të voglën shenjë drejtësie. Njësoj si kolegët e tu të tjerë. Ndoshta, njësoj si gjithë vendi. Apo ishte një nevojë për të qëndruar në pushtet, pa vdekur nga të pështirët? Të ktheheshe në një mizor, në një monstër, si Udhëheqësi yt.”
Po kështu mund t´i drejtoheshe secilit prej figurave më të larta të shtetit tonë komunist, atyre që dikur diktatori sot i quante «shok i ngushtë i armëve» dhe nesër, fare lehtë, i quante “armik” apo “poliagjent”, ndërkohë që një popull i tërë e duartrokiste për trimëri, zgjuarsi e vigjilencë.
Ndërthurja e fiksionit, politikës dhe kujtimeve e bëjnë “Festën e cjapit” një vepër që të magjeps për nga teknika e përdorur për të rrëfyer disa ngjarje “aq të pabesueshme, të cilat e kapërcejnë dhe fiksionin. Është një histori që, kohësisht dhe gjeografikisht, mund të na duket e largët, por që është aq e ngjashme dhe aq e pranishme në kujtesën tonë kolektive.