Site icon Telegrafi

Nga të shtënat me armë plagosen dy persona në Shtërpcë, njëri 11-vjeç

Foto: Ilustrim

Dy persona, njëri 11-vjeçar e tjetri 21-vjeçar, janë plagosur sot në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, pasi në drejtim të tyre është shtënë me armë zjarri nga një automjet në lëvizje. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Në njoftimin e Policisë thuhet se “sot rreth orës 15:19 policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në fshatin Drajkovc të Shtërpcës dy persona,  njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 21 vjeçar janë plagosur nga arma e zjarrit nga personi/persona të panjohur i cili/të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes”.

“Dy të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në qytetin e Graçanicës. Të dy të plagosurit nga informacionet që kemi janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Telegrafi.

Në njoftim thuhet se janë marrë të gjitha veprimet nga policia, policia e rendit e më pas hetuesit policor dhe krimtekniket nga Sektori Rajonal i Hetimeve, nën autorizim të prokurorit kujdestar nga PTH-Ferizaj kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i kanë nisur hetimet në kërkim dhe kapjen e personave të dyshuar.

“Aktualisht rruga  që çon për në Shtërpcë është e bllokuar nga të dy drejtimet e lëvizjes”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/

Exit mobile version