Site icon Telegrafi

Nga sot hyn në fuqi projekti i subvencionimit të punësimit, Murati: Do të zgjasë aq sa do të jetë e nevojshme

Në një konferencë për medie gjatë ditës së hënë, Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka prezantuar masën e iniciuar skema “Qeveria për Familjet”, ku parashihet të punësohet një mbajtës i familjes për ato familje që nuk kanë asnjë anëtarë të punësuar.

Murati ndër tjerash tha se kjo masë do të zgjasë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, tutje shtoi se përfitues të këtij subvencionimi do të jenë edhe familjet të cilat janë përfituese të skemës sociale, të cilat nuk kanë asnjë anëtarë të punësuar.

“Kjo masë do të zgjas për aq sa do të jenë të nevojshme, ne do të shohim se sa do të jetë kërkesa, një pjesë e madhe do të jenë familjet me asistencë sociale. Por ka edhe të tjera familje që për shkak të kritereve të tjera, siç është kriteri që duhet pasur një fëmijë nën moshën pesë vjeçare, nuk kualifikohet për asistencë socialë, megjithatë mund të jetë që asnjë anëtarë i familjes nuk është i punësuar, ne jemi të gatshëm që t’i ndihmojmë dhe të mbështesim të gjitha këto familje”, tha ministri Murati.

Lexo po ashtu Murati jep detaje rreth skemës një i punësuar për çdo familje në nevojë

Murati deklaroi gjithashtu, se ashtu siç e kishte prezantuar kryeministri Albin Kurti masën e re të punësimit, bizneset që janë të interesuara të punësojnë dikë nga familjet që nuk kanë asnjë të punësuar, shteti do t’i mbështetë me 70% të pagës bruto.

“Siç edhe e ka prezantuar kryeministri, gjatë fundjavës kemi një masë të re për punësimin, që bëhet fjalë për punësimin e mbajtësve të familjes, pra ato familje që nuk kanë asnjë të punësuar. Bizneset që janë të interesuar të punësojnë dikë nga familjet që nuk kanë asnjë të punësuar do t’i mbështesim me 70% të pagës bruto, pra subvencionimi do të jetë deri në 300 euro pagë, por paga mund të jetë më e lartë”, tha ai.

Ai tha se në rast se një kompani i ka 10 punëtorë, nëpërmjet kësaj mase mund t’i punësojë 3 punëtorë, që duhet të jenë të regjistruar në Agjencinë e Punës.

“Punëkërkuesit për të përfituar për këtë masë duhet të jenë mbi 18 vjeç e të mos kenë të punësuar dikë në familje”, shtoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version