Site icon Telegrafi

Nga shoqëria civile, përplasjet në LDK i shohin si “rezultat i konkurencës” (Video)

Prej se ka filluar procesi i brendshëm zgjedhor, nëpër degë e nëndegë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë shfaqur edhe pakënaqësi në mes të simpatizantëve brenda partisë.

Madje në degën e Matit, në Prishtinë, kjo pakënaqësi rezultoi edhe me grushte.

Gjatë ngjarjes atje, njëri prej tyre shihet teksa gjuan edhe me karrige në drejtim të disa simpatizantëve të kësaj partie.

Incidente të tilla, kishin filluar në nëndegën e Mitrovicës, në Qendrën e Kulturës ”Rexhep Mitrovica”, pastaj në Ferizaj e para disa ditësh përplasje ka pasur edhe në “Kodrën e Trimave” të Prishtinës.

Ndërsa pas mbledhjes së kësaj partie, LDK fajin ua hodhi partive të tjera pasi tha se aty ishin të infiltruar njerëz nga këto parti që po tentojnë ta prishin imazhin e LDK-së.

“Ka pasur demokraci. Sot e kemi pa në media që aty kanë qenë të infiltruar disa të partive të tjera, e keni pa edhe vet lajmin e një personi me karrige, që si duket është i një partie tjetër dhe kaq mund të them. Po flasim për këtë të djeshmen, e pashë në media, ish-i identifikuar edhe me foto edhe me emër dhe nuk kam çka të komentoj më shumë”, ka thënë Arban Abrashi.

“Për LDK-në nuk ka eksese. Janë shtyrje nga pak pasi në çdo proces demokratik ka shtyrje. E në shtëpinë e madhe këto priten”, deklaroi Hazir Borovci.

Për Jetmir Bakinë nga Demokracia Plus, këto ndodhin për shkak të konkurrencës, e që partitë e tjera nuk e kanë, gjë që e bënë gjendjen edhe më të keqe.

“Në partitë tjera kemi parë që nuk ka garë fare. Për mendimin tim është më mirë një garë jo tepër e mirë sesa pa garë fare. Partitë tjera mendoj se qëndrojnë edhe më keq, fatkeqësisht…Ne pamë edhe zgjedhjet në PDK. Pra nuk kishte kundër kandidatë, pa ndonjë koncept për shkak se nuk ka sfidë dhe normalisht se aty zgjedhjet shkojnë mirë”, tha për RTV Dukagjinin, Jetmir Bakija.

Ndërkaq në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës thuhet se janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje 6 persona, si të dyshuar se kanë marrë pjesë në rrahjen ndje në nëndegën e LDK-së në lagjen Mati 1./RTV Dukagjini/

Exit mobile version