Site icon Telegrafi

Nga “po ndihemi si të huaj” deri te “këtu e ndjejmë ngrohtësinë”, mërgimtarët tregojnë si po i kalojnë pushimet në Kosovë

Sheshet e kryeqytetit në stinën e verës mbushen përplot me mërgimtarë, të cilët vijnë t’i kalojnë pushimet në Kosovë. E sot në sheshet e Prishtinës ishin vendosur tenda për të informuar bashkatdhetarët me aktivitetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës si dhe të shijonin produktet vendore.

Fatoni, një mërgimtar, i cili jeton dhe vepron në Suedi tha se kur vjen në Kosovë e ndjen ngrohtësinë e familjarëve dhe të shoqërisë.

“Atje secili njeri punon shkon në shtëpi, e këto e ke atë ngrohtësinë, shoqërinë d.m.th mund të dalësh kur të duash jashtë për kafe, me marrë ndonjë pije, me fjalë të tjera të jesh pjesë e socializimit”, tha Fatoni.

Sheshet e Prishtinës /Foto: Ridvan Slivova/

Bashkatdhetarja Basrije Xhemajli thotë se kur vjen në Prishtinë i kujton ditët e rinisë dhe dëshira e saj është që të shëtisë nëpër rrugët e qytetit.

“Kur vijë këtu kam dëshirë me bredhë rrugëve. Me dal me ecë nga kam ec si e re, por nuk e kam guximin se ka shumë trafik, rrugët janë shumë të mbyllura. Kështu që kisha pas qejf më shumë me kujtu nostalgjinë e rinisë”, ka thënë ajo.

Tutje qytetarja, e cila jeton dhe vepron në Suedi, tha se do të donte që të bëhej edhe më shumë për ta, pasi siç u shpreh “po ndihemi si të huaj”.

“Kuptohet qëllimi është shumë i mirë nëse Kosova mendon për ne, pasi ne gjithmonë mendojmë për Kosovën dhe kemi dëshirë që të sjellim më të mirën në vendin tonë”.

Sheshet e Prishtinës /Foto: Ridvan Slivova/

Ndërsa, Faton Kaja, i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tha se kur vjen në Kosovë mundohet që të sjellë më shumë pozitivitet.

“Mundohem të jem jo-objektiv, mundohem me i pa sendet ndoshta edhe ashtu qysh nuk janë. Nuk ballafaqona me problemet e qytetarëve të Prishtinës. Për dy-tri javë mundohem gjithçka me pa mirë. Por, mua më duket mirë”, tha Kaja.

E, Isuf Sfirca i cili jeton në Prishtinë i pyetur se a është duke bërë mjaftueshëm nga shteti ynë për mërgatën, ai tha se “ka aktivitete të ndryshme që nga ana e Qeverisë dhe nga MPJD, si dhe nëpër komuna”.

“Mendoj se është në një masë e konsiderueshme ajo çka po bën për mërgatën, por ndoshta aktivitetet apo tërheqja e investimeve të huaja apo nga mërgata direkt të investojnë në prodhimtari ose në lëmin që e shtojnë punësimin do të ishte edhe më mirë”.

Sheshet e Prishtinës /Foto: Ridvan Slivova/

Ndryshe, në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës janë hapur tendat me lojëra atraktive për fëmijë, tendat e informimit, ku qytetarët mund të informohen rreth aktiviteteve që MPJD i ka dedikuar mërgatës, si platforma “Shijo Kosovën”, platforma “Made In Kosova”.

Përmbyllja e këtyre aktiviteteve bëhet në mbrëmje kur edhe fillon koncerti ‘Faleminderit Mërgatë’ që nis nga ora 18:00  deri në orën 23:00 dhe hyrja do  të jetë falas për të gjithë.

Këtë koncert do ta pasurojnë përformancat e artistëve të skenës sonë përfshirë: Dafina Zeqiri, Ardian Bujupi, Luiz Ejlli, Mc Kresha, Lyrical Son dhe Fisnikët. /Telegrafi/

Exit mobile version