Site icon Telegrafi

Nga një muaj paraburgim për pesë serbët e arrestuar për krime lufte në Kosovë

Foto: Arkiv

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që pesë serbëve të arrestuar për krime lufte kundër popullatës civile t’u caktohet masa e paraburgimit prej një muaji.

Të arrestuarit u kapën më 3 gusht 2024 dhe sipas gjykatës, ekziston rreziku që ata të arratisen dhe t’i shmangen procedurës penale, pasi janë shtetas të Republikës së Serbisë dhe mund të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë.

Gjithashtu, është theksuar se ekziston rreziku që të pandehurit mund të tentojnë të zhdukin provat materiale dhe të ndikojnë në dëshmitarët ose në të pandehur të tjerë që janë ende në arrati.

Në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës, të pandehurit D.C, D.N, M.SH, N.S dhe S.J dyshohen se më 5 prill 1999, në orët e para të mëngjesit, kanë kryer një sulm në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.

Ata akuzohen se, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforme jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktima civile shqiptare, kanë marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psikologjikisht, kanë plaçkitur dhe shkatërruar pronat e shqiptarëve, si dhe kanë abuzuar objektet kulturore dhe fetare.

Palët e përfshira në këtë rast kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit kundër këtij vendimi./Telegrafi/

Exit mobile version