Site icon Telegrafi

Nga një lojtar i dashur në një të padëshiruar – yjet e Chelseat ‘prishin’ raportet me Enzo Fernandez

Lojtari i parë i Chelseat tashmë i është kundërpërgjigjur Enzo Fernandezit, pasi ky i fundit u filmua duke kënduar një këngë raciste në drejtim të kombëtares së Francës.

Pas triumfit të Argjentinës në Copa America, Fernandez shpërndau një video të vetes dhe bashkëlojtarëve të tij duke kënduar këngë raciste.

“Ata luajnë për Francën, por prindërit e tyre janë nga Angola. Nëna e tyre është nga Kameruni, ndërsa babai nga Nigeria. Por pasaporta e tyre është franceze”, ishin vargjet e këngës.

Për këtë veprim të tyre, Federata e Futbollit të Francës ka marrë vendimin për të ndërmarrë veprime ligjore ndaj Argjentinës dhe lojtarëve të saj.

Lexo po ashtu Franca nis veprim ligjor ndaj Argjentinës për thirrjet raciste pas triumfit në Copa America

Chelsea numëron në radhët e veta një numër të futbollistëve francezë, duke përfshirë Wesley Fofana i cili e sulmoi ashpër bashkëlojtarin e tij në rrjetet sociale.

Ai postoi një klip të Fernandez duke e kënduar këngën, duke e shoqëruar me mbishkrimin: Futbolli në 2024: racizëm i pafrenuar.

Për më shumë, Fofana nuk e ndjek më Fernandezin në Instagram, ashtu siç kanë bërë edhe Axel Disasi dhe Malo Gusto të cilët janë po ashtu francezë.

Ata sidoqoftë nuk janë të vetmit lojtarë të Francës në ekip, pasi ‘Blutë e Londrës’ kanë në radhët e veta edhe Benoit Badiashile, Christopher Nkunku dhe Malang Sarr.

Fernandez iu bashkua Chelseat në janar të vitit të kaluar në një marrëveshje rekord prej 106 milionë eurosh nga Benfica./Telegrafi/

Exit mobile version