24 orët e fundit kanë qenë një sfidë e vërtetë për avokatin Sokol Mëngjesi, i cili vijon të jetë në terapi intensive në reanimacionin e Spitalit të Traumës.
Mjekët thonë se dhe 24 orët e ardhshme janë po aq delikate për shkak të 2 hematomave që avokati ka marrë nga sulmi me doreza metalike në derën e një kopshti në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, një ditë më parë.
Nga 4 autorët e dyshuar të sulmit ku 3 goditën avokatin dhe njëri i transportoi, në pranga ka rënë vetëm një. Dorian Aliaj u vetëdorëzua mbrëmjen e djeshme dhe ka folur para grupit hetimor.
Sipas tij, ai dhe Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku nuk e kishin planifikuar sulmin ndaj avokatit, por takimi pranë kopshtit 31 ishte i rastësishëm. Ai pretendon se vetëm e ka përshëndetur avokatin por kur ky i fundit e ka injoruar dhe pas kësaj, ai e ka qëlluar vetëm një herë me grusht. Kur e ka partë se avokati është rrëzuar është larguar me vrap nga paniku.
Para hetuesve Dorian Aliaj ka treguar dhe për mosmarrëveshjet që miku i tij, Dritan Nano ka pasur me avokatin dhe se nga padia e bërë nga ky i fundit prona ishte bllokuar. Nga ana tjetër, i ndaluari me iniciativë të policisë Dritan Nano, i cili sipas policisë dyshohet si organizator i sulmit, ka mbajtur qëndrim mohues duke e përjashtuar veten nga kjo ngjarje.
Shkak për konfliktin sipas hetimeve është mosrespektimi i një kontrate lidhur mes avokatit dhe trashëgimtarëve të një prone, në zonën e Liqenit artificial. Pala e përfaqësuar nga avokati fitoi gjyqin në të dyja shkallët e gjyqësorit por një prej 8 trashëgimtarëve, Dritan Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës, çka solli bllokimin e pjesës takuese të tij.
Top Channel mëson se dhe para sulmit, Dritan Nano e ka kërcënuar avokatin që të hiqte dorë nga padia që i kishte bllokuar pronën, sepse në të kundërt do ta pësonte.