Site icon Telegrafi

Nga janari deri në qershor, mbi tre mijë kosovarë kërkuan azil në shtetet e Bashkimit Evropian

Sipas raportit më të fundit të Agjencisë Evropiane për Azilin (EUAA), shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova kryesojnë listën e vendeve të Ballkanit me numrin më të madh të kërkesave për azil në Bashkimin Evropiane (BE) gjatë 2024-ës.

Nga janari deri në qershor, 3,778 kërkesa për azil janë paraqitur nga shtetasit e Shqipërisë në vendet e BE-së, kryesisht në Itali, Greqi dhe Francë.

Ndërkohë, shtetasit e Kosovës kanë regjistruar 3,375 kërkesa në të njëjtën periudhë.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, shtetasit e Maqedonisë së Veriut paraqitën 1,872 kërkesa, ata të Serbisë 1,660, ndërsa nga Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi janë regjistruar përkatësisht 750 dhe 182 kërkesa për azil.

Sipas të dhënave të mëparshme të EUAA, rreth 2,700 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë, të mbledhura gjatë vitit të kaluar, janë ende në pritje të shqyrtimit, ndërkohë që norma e njohjes së azilit për shqiptarët mbetet shumë e ulët, me më pak se 3% të kërkesave të pranuara.

Në një tjetër raport të publikuar nga Agjencia Europiane e Statistikave (EUROSTAT), qytetarët nga Shqipëria kryesojnë gjithashtu me numrin më të madh të lejeve të qëndrimit të marra në BE për herë të parë gjatë vitit 2023, me 74,938 persona të pajisur me këto dokumente. Për shtetasit e Kosovës, kjo shifër arrin në 45,568.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve, rreth 41,760, kanë marrë leje qëndrimi për arsye familjare, ndërsa të tjerët për arsye të papërcaktuara (13,144) dhe arsye edukimi (2,450), njofton Telegrafi.

Exit mobile version