Figura e të madhes Nexhmije Pagarusha është ‘rijetësuar’ në Prishtinë përmes një punimi të veçantë artistik.
Artistët e ‘Mural Fest Kosova’ i kanë realizuar një mural të veçantë në dedikim të interpretueses së hitit “Baresha”.
Murali i punuar në një fasadën e një objekti në rrugën “Qazim Hoxha” në qendër të kryeqytetit, ka marrë tashmë vëmendjen e kalimtarëve të shumtë që e frekuentojnë këtë rrugë çdo ditë.
Pranvera Sylejmani, si një nga autoret e këtij murali tha për Telegrafin se punimi i Nexhmije Pagarushës, i pasin atij të Rita Orës që artistët e ‘Mural Fest Kosova’ realizuan në Ferizaj muaj më parë.
“Këtë vit, festivali i muraleve ‘Mural Fest’ e ka trajtuar temën ‘Home (Shtëpia)’. Në muajin prill kemi startuar me muralin e Rita Orës, dhe ka qenë e planifikuar në muajin maj më atë 7 maj për ditëlindjen e Nexhmijes, të punohet edhe murali i saj – por për shkaqe logjistike, teknike kemi arritur ta realizojmë pak me vonesë në muajin nëntor, por gjithsesi jemi shumë të lumtura që këtë edicion të festivalit tonë po e përmbylli me portretin e të madhes Nexhmije Pagarusha”, tha Pranvera për Telegrafin.
Ndonëse ishte planifikuar që të realizohej qysh në muajin maj, murali i Nexhmije Pagarushës hasi në disa barriera gjatë rrugës, të cilat e shtynë përfundimin e saj deri në muajin nëntor.
“Ka qenë shumë e vështirë për të gjetur një mur adekuat dhe të përshtatshëm i cili e përballon portretin e të madhes tonë, Nexhmijës. Pastaj duke filluar me punën, në start kemi hasur në disa pengesa, të cilat janë tejkaluar shumë shpejt dhe pa ndërlikime të tjera dhe po arrijmë ta përfundojmë murali ne saj me sukses. Është një figurë e cila nuk kishte bërë të ishte në ndonjë vend tjetër, sepse normal Prishtina është kryeqytet dhe e meriton të jetë në një vend të tillë”, tha artistja e muralit.
Megjithëse vonesa u shkaktua për shkak të probleme teknike dhe gjetjes së muralit dhe dakoordimit me banorët e objektit, në tërësi realizimi i tij duket të ketë marrë më pak se një javë.
Pranvera në intervistën për Telegrafin tregoi se për jetësimin e një punimi të tillë, iniciatorë ishte një artiste shumë e veçantë e cila erdhi enkas nga Spanja dhe u njoh me figurën e divës shqiptare.
“Punimi është realizuar brenda pesë ditëve. Është realizuar nga artistja nga Barcelona, profesoresha e Akademisë së Arteve në Barcelonë, Alba, që dua ta falënderoj jashtëzakonisht shumë për bashkëpunimin që e kemi gjetur me të dhe faktin që ka pranuar ta realizojë këtë figurë, sepse artistët e marrin temën, e marrin konceptin nga organizatorët, por ata duan ta gjejnë vet inspirimin duke u bazuar në koncept dhe në temë, po për portretin e Nexhmijës duke marrë informacione nga ne për historikun rreth jetës dhe krijimtarisë së saj, Alba ka pranuar pa hezitim dhe ndjehet shumë e lumtur që është pjesë e këtij projekti”, tha Sylejmani.
‘Mural Fest Kosova 2021’ ka pasur sivjet nën ombrellën e organizimit të tij temën “Home (Shtëpia)”, duke u fokusuar në pikturimin e muraleve që përkojnë me vlerat dhe traditat e shtëpisë/vendit tonë.
“Festivali siç e thash këtë vit ka trajtuar temën ‘Shtëpia’ por është fokusuar në historinë tonë në vitet 98-99, në një pjesë të rëndësishme të historisë që e ka kaluar populli jonë – eksodi dhe gjatë festivalit kemi realizuar fotografi të ndryshme të refugjatëve, fotografi nga fotografi jonë Hazri Reka, Jemi shumë të lumtura që këtë vit jemi kthyer me një pjesë të rëndësishme të historisë tonë dhe e kemi jetësuar, e cila nuk do të harrohet lehtë”, ka thënë Pranvera Sylejmani.
Autorja e muralit të Nexhmieje Pagarushës tregoi për fund mesazhin të cilin ajo dhe piktorët e tjerë kanë pasur për qëllim që të përçojnë përmes festivalit.
“Mesazhi është shumë i qartë: Kemi përfshirë një pjesë të rëndësishme të historisë tonë të cilën e kemi kaluar, pro gjithashtu kemi përfshirë një pjesë shumë të rëndësishme të gruas shqiptare, të femre shqiptare, siç janë dy shembujt Rita Ora dhe Nexhmije Pagarusha”, përfundoi Sylejmani. /Telegrafi/