Site icon Telegrafi

Neuralink ka marrë leje për të kryer implantime të trurit te pacientët në Kanada

Kompania Neuralink do të kryejë testimet e para klinike jashtë SHBA-së. Ajo ka marrë miratimin e autoriteteve kanadeze për të filluar testimet tek njerëzit, dhe spitali Toronto Western Hospital do të jetë vendi i parë dhe ekskluziv për kryerjen e procedurave kirurgjikale.

Në muajin mars të këtij viti, Neuralink hapi një regjistër për pacientët në Kanada dhe tani po kërkon pjesëmarrës të mundshëm për testime. Sipas studimit të quajtur CAN-PRIME, kompania synon të implantojë pajisjen në trurin e njeriut për të interpretuar aktivitetin neuronal. Ky implant do t’u mundësojë njerëzve të kontrollojnë kompjuterin ose smartphonen vetëm me mendimet e tyre, pa nevojë për kabllo apo lëvizje fizike.

Neuralink shpjegon se qëllimi i studimit është të vlerësojë sigurinë e implantit dhe robotit kirurgjik, si dhe funksionalitetin fillestar të ndërfaqes kompjuterike-tru, shkruan engadget.

Synimi është që personave me paralizë totale të gjymtyrëve t’u mundësohet kontrolli i pajisjeve të jashtme përmes mendimeve. Përfitimet e këtyre testimeve mund të ndihmojnë kompaninë në gjetjen e mënyrave më të sigurta për instalimin e implantit dhe zhvillimin e teknologjisë.

Pacienti i parë që ka marrë një implant nga Neuralink në fillim të këtij viti përjetoi disa komplikime për shkak të lëvizjes së fijeve të implantit nga truri, por raportohet se tani është mirë. Nëpërmjet rrjetit social X, ai ka njoftuar se së shpejti do të ndërmarrë një sfidë 72-orëshe për të demonstruar aftësitë e teknologjisë së Neuralink.

Për pacientin e dytë, kompania ka marrë masa për të parandaluar problemet e mëparshme. Ky pacient tashmë përdor softuer për projektim kompjuterik (CAD) vetëm disa javë pas operacionit, që u krye në muajin korrik.

Aktualisht, Neuralink është duke kërkuar pacientë me aftësi të kufizuara ose të humbura plotësisht në përdorimin e të dy duarve, për shkak të dëmtimit të palcës kurrizore në qafë ose për shkak të sëmundjes së ALS (Skleroza Amiotrofike Laterale), për t’i përfshirë në kërkimet e saj në Kanada. /Telegrafi/

 

Exit mobile version