Site icon Telegrafi

Netanyahu mohon shtetin palestinez: Le ta krijojnë shtetin e tyre në Arabinë Saudite

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka sugjeruar se palestinezët duhet të krijojnë një shtet në Arabinë Saudite dhe jo në atdheun e tyre.

“Sauditët mund të krijojnë një shtet palestinez në Arabinë Saudite; ata kanë shumë tokë atje”, tha Netanyahu.

Bëhet e ditur se kjo deklaratë vjen pasi Arabia Saudite dhe Izraeli duken edhe më larg normalizimit të marrëdhënieve, më shumë se një vit pasi zyrtarët në SHBA thanë se një marrëveshje ishte afër.

Riadi tha në mënyrë të përsëritur gjatë vitit të kaluar se vetëm një rrugë e qartë drejt shtetësisë palestineze do ta çonte atë në krijimin e lidhjeve formale me Izraelin, por Netanyahu e hodhi poshtë këtë ide duke e quajtur atë një “kërcënim të sigurisë për Izraelin”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Sidomos jo një shtet palestinez”, tha Netanyahu.

“Pas 7 tetorit? A e dini se çfarë është kjo? Kishte një shtet palestinez, quhej Gaza. Gaza, e udhëhequr nga Hamasi, ishte një shtet palestinez dhe shikoni se çfarë morëm”, vazhdoi ai.

Ndryshe, komentet e liderit izraelit vijnë ndërsa ai ishte në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara.

Ato pasuan një konferencë të përbashkët shtypi me Donald Trump, në të cilën presidenti amerikan njoftoi planin e tij për dëbimin e palestinezëve nga Gaza për ta bërë enklavën palestineze “Rivierën e Mesdheut”, me marrjen e territorit nga SHBA-ja.

Normalizimi me Arabinë Saudite u diskutua midis dy liderëve dhe përveç hedhjes poshtë të kushtit kyç saudit për krijimin e një shteti palestinez, Netanyahu këmbënguli se paqja midis Izraelit dhe mbretërisë ishte një realitet që do të vinte.

“Nuk është vetëm e realizueshme, por mendoj se do të ndodhë”, tha ai.

Konferenca për shtyp u pasua shpejt nga një deklaratë nga ministria e jashtme e Arabisë Saudite, e cila tha se qëndrimi i mbretërisë ndaj shtetësisë palestineze ishte “i vendosur dhe i palëkundur”. /Telegrafi/

Exit mobile version