Britanikët po përjetojnë një valë të nxehti këtë javë me temperaturat që arrijnë në pothuajse 26 gradë Celsius.
Gjatë ditëve të nxehta ne kujdesemi për veten dhe kafshët, por shpesh i harrojmë bimët.
Dhe siç paralajmërojnë ekspertët, nëse nuk kujdesemi mirë për bimët, ato mund të dëmtohen nga i nxehti.
Për fat të mirë, një ekspert ka ndarë një këshillë të shkëlqyer, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Mark Lane shpjegoi se ujitja e bimëve gjatë ditës e veçanërisht gjatë motit të nxehtë, është një nga “gabimet më të mëdha”, që çdo njeri mund ta bëjë.
“Koha më e mirë për ujitje është herët në mëngjes kur temperaturat janë më të ulëta, midis orës 05:00 dhe 09:00 të mëngjesit”, tha Lane.
Eksperti paralajmëroi: “Ujitja gjatë natës mund të rezultojë në grumbullimin e ujit në sipërfaqen e tokës, rreth rrënjës dhe gjetheve, gjë që mund të çojë në kalbjen e bimës”.
Një tjetër këshillë e rëndësishme është se nuk duhet ta ujitni shumë kopshtin tuaj. Kjo pasi ujitja e tepërt mund t’i bëjë më shumë dëm sesa dobi gjatë një vale të nxehti. /Telegrafi/